Web Analytics

Paraburgim ndaj zyrtarit policor dhe dy qytetarëve, dyshohen për disa vepra penale

Botuar nga: InfoKosova

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zyrtarit policor me inicialet S.N dhe dy qytetarëve me inicialet Q.TH dhe Rr.K, të cilët janë arrestuar dy ditë më parë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Sipas njoftimit të gjykatës, S.N dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Ndërsa, Q.Th dyshohet për veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe i pandehuri Rr.K për veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.N, Q.Th dhe Rr.K, andaj të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin”, thuhet në komunikatën për media.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër tre të pandehurve dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni caktohet në bazë të nenit 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurve, ndikimi në dëshmitarë si dhe pesha e rëndë e veprës penale, andaj i njëjti ka konstatuar se masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë, për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale, në këtë çështje juridiko – penale”.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

Të FUNDIT