Web Analytics

Edhe sot vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Botuar nga: InfoKosova

Në Hagë edhe sot do të vazhdon gjykimi ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Sipas njoftimit të bërë nga Dhomat e Specializuara seanca do të fillojë në ora 09:00, transmeton Telegrafi.

Të hënën në Hagë u dëgjua dëshmitari i pestë kundër Pjetër Shalës.

Dëshmitari që mban numrin 10, gjatë ditës së hënë ka folur për shtabin e logjistikës në Kukës, derisa ka pretenduar se Pjetër Shala ‘hynte e dilte pa pyetur askënd’.

Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i janë bërë disa pyetje në seancë private për të vazhduar pastaj të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë.

Pjetër Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Të FUNDIT