Amerikanët e britanikët kontestojnë kryetarët e gjykatave në Kosovë

Ambasada Amerikane dhe Britanike thonë se përzgjedhja e kryetarëve të gjykatave mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Ato kanë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) që urgjentisht të qartësojë këtë çështje dhe të konsiderojnë veprimet që duhet të ndërmarrin për të evituar dëmet e mëtejshme të imazhit të gjyqësisë në Kosovë.

Muaji dhjetor shënoi edhe kohën kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës përzgjodhi shumicën e kryetarëve të gjykatave të Kosovës. Në muajin janar është zgjedhur kryetari i Gjykatës së Apelit, ndërsa përzgjedhje e kryetarit të Gjykatës Supreme u përmbyll në muajin mars të këtij viti.

Ambasada Amerikane dhe ajo Britanike në Kosovë po e kontestojnë ligjshmërinë e tërë këtij procesi.

KALLXO.com ka mësuar për një letër të cilën këto ambasada i kanë dërguar KGjK-së me të cilën shprehin shqetësimin për procesin e përzgjedhjes së kryetarëve të gjykatave themelore, të Apelit por edhe të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Procesi i përzgjedhjes së kryetarëve të Gjykatave nis me intervistimin e kandidatëve për kryetar nga një komision i cili formohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Ky komision pas intervistimit i propozon Këshillit Gjyqësor kandidatët në bazë të vlerësimit të arritur në testim. Këshilli Gjyqësorë e përzgjedh për kryetar personin i cili merr shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të KGJK-së në një proces të fshehtë të votimit.

Ambasadat shprehin shqetësimin me votimin e fshehtë për përzgjedhjen e kryetarëve të gjykatave e që në disa raste ka rezultuar që anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës me votimin e tyre të fshehtë kanë përzgjedhur kandidatë që nuk kanë korresponduar me rezultatet e arritura në bazë të meritave të intervistimit.

Rasti më i freskët i tillë është rasti i përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ku Enver Peci nga anëtarët e KGjK-së u propozua për kryetar me votim të fshehtë përkundër se kandidatja më e poentuar nga Komisioni Intervistues ishte Valdete Daka.

Lidhur me procesin, Daka u ankua edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Rast i ngjashëm ndodhi edhe me përzgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala. Shala ka marrë shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të KGjK-së, por ishte kandidatja Tonka Berisha e cila kishte marr numrin më të madh të pikëve nga komisioni vlerësues.

Ambasada e Amerikës dhe ajo e Britanisë thonë se procesi i përzgjedhjes së kryetarëve të gjykatave përmes votimit të fshehtë mund të mos jetë në përputhje më Kushtetutën e Kosovës, më saktësisht me nenin 108 pika 4, ku kërkohet që emërimi i gjyqtarëve duhet të bëhet duke u bazuar në meritat e kandidatëve.

Në letrën e dërguar në KGjK, shprehet shqetësimi se votimi i fshehtë nga anëtarët e KGjK-së për përzgjedhjen e kryetarëve të gjykatave, mund të jetë në kundërshtim me këtë parim kushtueses.

Në shkresën dërguar KGjK-së, thuhet se situata e përzgjedhjes bëhet edhe më delikate për faktin se anëtarët e KGjK-së nuk janë të obliguar të japin ndonjë arsyetim për përzgjedhjen që kanë bërë. Madje, Ambasadat thonë se procesi minohet edhe më shumë për faktin që kandidatët që nuk marrin votën në KGjK nuk kanë ndonjë mjet efektiv të ankesës.

Ambasadat kërkojnë nga KGjK-ja që urgjentisht të qartësojnë këtë çështje dhe të konsiderojnë veprimet që duhet të ndërmarrin për të evituar dëmet e mëtejshme të imazhit të gjyqësisë në Kosovë.

Përveç kësaj çështje, pjese e letrës dërguar në KGjK, është edhe roli i Zyrë për Verifikim në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të Gjykatave.

Në letër specifikohet se mungesa e kritereve të definuara për këtë proces pranë Zyrës së Verifikimit mund të kuptohet si një vegël që mund të ndikojë në favor të disa kandidatëve duke u bazuar në thashetheme sesa në bazë të meritave të arritura me anë të intervistimit.

Për më tepër nga Kryesuesi i KGjK-së kërkohet të jap një deklaratë të qartë në arsyeshmërinë e ushtrimit të këtyre kontrolleve shtesë dhe bazë ligjore në të cilën është mbështetur Zyra e Verifikimeve.

Kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi për KALLXO.com, konfirmoi pranimin e letrës nga Ambasada Amerikane dhe ajo Britanike në Kosovë.

“Ne vlerësojmë që kemi punuar mirë, në pajtim me rregulloren tonë, ne letrën e kemi pranuar dhe jemi duke e shqyrtuar”, tha Idrizi. /Kallxo.com/

ARTIKUJ TJERË:
Loading...
SHPËRNDAJE