“Bëni ça bëni gjithë natën dhe vini të papërgatitura, më mirë shporruni”

Disa ditë më parë aktori i “Portokallisë” Gaz Paja ka pasur një konflikt me gazetaret e kulturës. Incidenti ndodhi pak para premierës së pjesës me titull “Çfarë pa kryeshërbëtorja”. I pyetur nga moderatorja Jonida Shehu për detaje dhe variantin e tij në lidhje me këtë ngjarje ku në shenjë solidariteti gazetarët e kulturës reaguan fort për kolegen e tyre, Gazi tha se këto gazetaruce nuk po e bëjnë siç duhet punën e tyre, ndaj ndodhin keqkuptimet.

Sipas tij, drejtoria që merret me median u kishte shpërndarë paraprakisht redaksive të lajmeve informacion në lidhje me pjesën që aktualisht po shfaqet në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në kryeqytet.

“Kam edhe email-et që u janë dërguar”, tha Gazi.

Ai shtoi “pyetja ishte për subjektin e veprës, dhe unë kërkova që meqë subjekti është shumë i shtrirë, shumë miqësisht i thashë gazetares se çfarë i kishte bërë përshtypje në materialin përmbledhës që kishte lexuar që ta shpërndanim subjektin, sepse ishim 9 aktorë aty. Dhe vajza, por një tjetër tha mos m’u përgjigj mua me pyetje. Ndërsa unë ja ktheva që në këto kushte, të pyes dikush tjetër, pasi ndihem i ofenduar, kur t’i mendon se unë nuk e di subjektin e një vepre me të cilën kam punuar 2 muaj rresht nga 9 orë në ditë. U ndjeva i fyer pasi gazetarja nuk kishte marrë mundimin të lexonte. Nuk po i përfshij të gjithë, pasi aty kishte gazetare të nderuara. Pjesa më e madhe e gazetaruceve ne e dimë shumë mirë se si i kanë marrë vendet e punës, por kjo u përket organeve kompetente”, tha aktori.

Gaz Paja madje arriti deri aty sa tha se duhet bërë një pastrim total nga gazetarucët që vetëm se kanë miqësi me shefat e tyre kanë atë vend që kanë.

“Është për të ardhur keq, pasi arti në botë është edukim, por kjo tek ne nuk mund të bëhet me ca portale palaco dhe me ca gazetaruce pise që dizinformojnë publikun”, tha aktori.

“Unë kërkova që ajo vajza të mos bënte më pyetje, se ajo ishte e palexuar që në rastin konkret ishin vetëm dy faqe formati. U ndjeva i ofenduar që u përbalt ashtu puna ime, ndaj kërkova të pyeste dikush tjetër, se nuk kisha me ç’të diskutoja me atë gazetare,” tregoi Gazi.

Lexo po ashtu:  Rowan Atkinson po planifikon edhe një ”Mr Bean” tjetër [Video]

Më tej, ai shtoi “Alma, thoshte në shkrimin e saj si argument që ajo gazetare me të cilën u përplasa, është nënë e dy fëmijëve. Ajo në fakt gocë dukej, t’i ketë me jetë dy fëmijët, por i them Almës se ky është një argument idiot moj Alma”. Tani, tha me humor gjatë intervistës për aktori Gaz Paja: Kam vendosur që kur të bëj intervista do t’i pyes gazetarët sa fëmijë kanë. Po kanë dy do t’u them, nuk bëj intervistë me ty. Po ka një, do të përpiqem, ndërsa beqaret do t’i grij fare.

Në lidhje me titullin “Profesor Gazi” aktori sqaron. “Gazetarja po të ishe më e lexuar do ta kishe kuptuar pse Kiço Londo (drejtori i Teatrit “Kujtim Spahivogli”) më fliste Profesor Gazi gjatë konferencës, pasi unë luaj rolin e një profesori”.

Aktori 38-vjeçare sqaroi se nuk është pedagog tek Universiteti i Arteve dhe se nuk është profesor në jetë, por vetëm në rol. Kur moderatorja Jonida Shehu e pyeti se si do të kishte vepruar Gazi po të ishte gazetar, Paja ju përgjigj: “Ne ua bëjmë shumë të lehtë punën gazetarëve, por nëse ato kanë bërë ça kanë bërë gjithë natën apo gjithë ditën dhe vijnë të papërgatitura, le të shporren”!

I pyetur në lidhje me miqësitë që ka me kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj, Gaz Paja u përgjigj se nuk është i angazhuar në asnjë forcë politike. Pjesëmarrja e tij në FRESH ishte një ftesë nga PS-ja si trajner estetik. “Roli im nuk ishte t’i trajnoja politikisht, pasi nuk di, por nga ana estetike, si të sillen, si të flasin, si të qëndrojnë e si të vishen”.

“Kryeministri para se të jetë kryeministër është artist dhe sigurisht që unë do të kem miqësi me një artist. Të lexohet si të dojë kjo foto e imja me Ramën, mua ai burri më pëlqen. Është i çmendur dhe mua më pëlqen çmenduria e tij. Një i çmendur i tillë mund të rregullojë gjithë lleqet që kanë ndodh në Shqipëri”, tha Gaz Paja.

“Ai po punon, nëse devijon do të marrë atë që meriton, por shpresoj që kjo të mos ndodh. Njerëzit që punojnë unë do t’i mbështes”, shtoi aktori. /Top-Channel

Loading...
SHPËRNDAJE