Berat Buzhala pro demarkacionit: Shteti të dal përtej kujtimeve të çobanëve

Unë nuk jam gjeodet, as nuk jam demograf. Pothuajse asgjë nuk jam. Mirëpo në ngjarje të tilla të mëdha, unë shikoj prapa.

E analizoj historinë e 30 viteve të fundit, e jo disa dokumente teknike që fluturojnë sa në një tryezë “shkencore” në një tjetër “ultra shkencore”.

Si për ironi, tash, me 18 mars, është edhe përvjetori i marrëveshjes së Rambujesë. Ekipi që e përfaqësonte Kosovën, në bisedat për statusin e saj final, ose ndoshta për statusin e saj të radhës, ishte ngujuar në Kështjellën e Rambujesë, duke qarkulluar nga një dhomë në një tjetër, nga një sallon në një tjetër, drafte të ndryshme, të cilat flisnin për statusin e Kosovës.

Pikë e pesë, pa pikë përvoje, e posaçërisht pa njohuri, delegacioni i Kosovës dyshonte në çdo gjë. Në çdo ndërkombëtar e shihte një armik potencial. Kjo bëhej shumë më serioze, kur kihet parasysh presioni që vinte nga disa drejtime.

Njëri ishte presion pozitiv, madje presion urgjent, që inkurajonte delegacionin e Kosovës, që ta përfundonte këtë sagë sahat-e-para.

Këtë presion e bënin familje të tëra që po e kalonin edhe dimrin e dytë të luftës më këmbë të zbathura në borë, në mëshirë të fatit.

Pastaj ishte edhe presioni negativ, destruktiv, konspirativ. Këtu mund të shihen edhe plot mbiemra. Ai vinte nga Prishtina, kryesisht prej tyre që asnjë ditë në luftë nuk e kishin kaluar. Tek tuk edhe ndonjë komandant komik i UCK’së.

Dhe fare në fund, por më i rëndësishmi, ishte presioni i miqve ndërkombëtarë, që marrëveshja të nënshkruhet, sepse ata do ta mbanin premtimin e dhënë. Do ta bombardonin Beogradin.

Pak kush besonte. Thoshin që Evropa është kurvë. Duke qenë kurvë është edhe e pabesë. Për këto epitete frymëzoheshin nga këngët e Dava Gjergjit.

Në krye të kësaj kampanje ishte vënë Albin Kurti – imagjinojeni – zëdhënës i UÇK’së në Prishtinë.

Atëbotë Kurti punonte në zyrën e ikonës së rezistencës, Adem Demaçin. Ky i fundit shquhej për mungesë totale të konsistencës politike. Sa fliste për konfederata ballkanike, pas një jave fliste për bashkime trojesh shqiptare.

Pas disa hezitimeve të shefit të delegacionit, Hashim Thaçit, pas disa garancioneve shtesë, u nënshkrua ajo marrëveshje. Kushtrimi i dhënë që edhe serbët do ta nënshkruanin të njëjtën marrëveshje dhe se Kosova do të mbetej nën Serbi doli i kotë. Serbia nuk nënshkroi kurrë atë.

Në anën tjetër, Evropa kurvë, bashkë edhe me SHBA’të, filluan ta bombardonin Beogradin, dhe tërë Serbinë, deri në lirinë e plotë të Kosovës.

Kurti, tigri për letre, u kap nga policia serbe në Prishtinë, si një gjyshe e paralizuar. Përkundër ftesës që të shkonte në zona që kontrolloheshin nga UCK, ai vendosi të qëndronte në Prishtinë. Në stanin e tij.

Pastaj rrodhën gjërat ashtu si rrodhën. Kosova u çlirua, sepse udhëheqësit e vendit, nuk ranë viktimë e konspiracioneve irracionale të badihavxhinjëve, që për një moment edhe mund të dukeshin interesante. Ndoshta vetëm në teori. Pra, në teori, sic propagandohej, do të ishte shumë mirë që UCK të çlironte vendin, ta dëbonte ushtrinë serbe, e pse jo ta pushtonte edhe Beogradin, për ta rrëzuar nga pushteti Sllobodan Milloshevicin.

Këto ishin dokrra. Populli po vdiste në mal nga bora, i ftohtit dhe nga uria.

Në liri, gati në anarki, i kaluam edhe rreth dhjetë vite të tjera, për të ardhur në fazën finale të pozicionit politik të Kosovës, ëndrrës së madhe. Fundi i luftës, fillimi i shekullit të ri, na kaloi më shumë duke u rinjoftuar me njëri tjetrin. Ne njiheshim, por jo në këso kushtesh. Ne kurrë nuk e kishim qeverisur njëri tjetrit. Për qindra vjet kemi qenë argatë në tokën tonë. Për këto arsye, për shkak të këtij realiteti, kohë pas kohe na merreshin mendtë. Ecnim si pa kokë. Rrëzoheshim dhe ngriheshim. Afër nesh ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Britania, Italia dhe miq të tjerë. Ishte kjo si një fazë normale, madje një kurs intensiv, për të shkuar drejt pavarësisë së vendit.

Për këtë arsye filluan edhe negociatat formale për statusin final. U caktua edhe një ekip ndërmjetësuesish, më në krye Marti Ahtisaarin. Meqë po shkohej drejt një situate të re, filluan të lulëzonin, për të dytën herë tash, pas Rambujesë, konspiracionet.

Edhe këtë herë kampanjes i printe Kurti, këtë herë pa Adem Demaçin. Edhe ky u bind që Kurti është në frekuenca tjera, po dëgjonte zëra dhe tinguj që në të tjerët nuk i dëgjonim.

Kështu në shkurtin e vitit 2007, Kurti nxori qindra mijëra njerëz në rrugë, duke u thënë që po na tradhton bashkësia ndërkombëtare. Sepse Evropa ishte kurvë. Dhe kurvat – siç tashmë dihet – tradhtinë e kanë mënyrë të jetesës.  Nuk ka pavarësi, thoshte ai. Argumenti i tij i vetëm ishte fjala e tij. Ai po thoshte. Dhe ne duhet t’i besonim, edhe pse kushtrimi i tij i fundit, ai i Rambujesë, kishte dal fën-arushe. Por ai e kërkonte edhe një mundësi të re. Për shkak të halucinacioneve të tij u vranë dy të rinj. U përgjakën rrugët, vec pse Kurti dyshonte.

Për t’ia shkurtuar agoninë Kurtit dhe të gjithë skeptikëve, ndërmjetësuesi Ahtisaari tregoi që propozimi i tij ishte që Kosova të shpallej e pavarur.

Meqë doli siç nuk kishte thënë, Kurti e lansoi tezën e tij të re: Edhe nëse e shpallim pavarësinë, atë nuk do të na e njohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo intervistë e Kurtit është më zë dhe me video.

Çfarë ndodhi?

U shpall pavarësia e Kosovës. SHBA’të e njohën si shtet. Evropa kurvë gjithashtu, më në krye Gjermaninë, Francën, Italinë, Britaninë e Madhe. Kosova njihet e pavarur prej 114 shteteve të botës, prej tyre mbi dy të tretat e Bashkimit Evropian dhe NATO’së. Nuk njihemi edhe më tutje nga Rusia dhe Kina, që është jashtë fuqisë tonë dhe të miqve tonë.

Përpara se gjeli të këndojë në mëngjes, ti do të më mohosh mua tri herë, i kishte thënë Jezusi, apostullit Pjetër, pak para se të arrestohej nga romakët.

Kjo është hera e tretë që Kurti e mohon Kosovën, kur ne ende nuk jemi bërë pjesë e OKB’së, por që duket se jemi në rrugë të mirë, marrë parasysh mesazhet e para të administratës së Trumpit.

Herën e parë e bëri në Rambuje, herën e dytë në negociatat për statusin final dhe pavarësinë e vendit dhe tash herën e tretë, duke insistuar me gjithë fuqinë e tij që ta pengojë Kosovën drejt ratifikimit të kufijve të jashtëm, akte të cilat do të përmbyllnin ciklin e shtetësisë sonë.

Për shkak të zhurmës së madhe, spekulimeve të nduarndurshme, qytetarët nuk janë indiferent. Askush nuk është i gatshëm që të japë toka për viza. Kjo është shumë normale, sikur të ishte kështu. Fatkeqësisht në masë të madhe është shitur kështu dhe është kuptuar kështu.

Tash, sigurisht, marrë parasysh edhe të kaluarën, është legjitime prej Kurtit dhe partisë së tij të provojë t’i realizojë agjendat e tij, pa zgjedhur mjete. Unë nuk befasohem aspak. Nuk befasohem aspak, as nga Ramush Haradinaj, i cili ndoshta është i bindur në atë që e thotë. Ndoshta pleqtë edhe e kanë thënë që Cakorri është i yni. Mirëpo pleqtë nuk janë instrument juridik i njohur ndërkombëtarisht. Ata nuk pranohen si palë as në arbitrazh. Për gjëra të tilla, shteti duhet të dalë përtej analizave farefisnore. Përtej emocioneve historike. Përtej kujtimeve të çobanëve, që për çdo verë i kanë kullotur delet në bjeshkë të ndryshme. Dromca të tilla janë simpatike për t’u rrëfyer, por jo edhe për të fituar beteja ligjore.

(Vijon nesër)

SHPËRNDAJE