Bletët “i trullos” hashashi, shkatërrohen gati gjysma e koshereve – humbjet deri në 60 milionë euro

Viti 2016 ka qenë një vit dramatik për bletërritësit. Sipas të dhënave në shkallë kombëtare, këtë vit janë shuar 40 për qind e koshereve.

Shoqata e Bletërritësve të Shqipërisë pohon se nga 360 mijë koshere që numëroheshin gjithsej në të gjithë vendin për vitin 2016, më shumë se 144 mijë koshere nuk e kanë kaluar dimrin. Humbjet llogariten 58 milionë euro.

Bletarët e kontaktuar nga mediat shqiptare kanë bërë si shkaktar kryesor të humbjeve kultivimin masiv të hashashit në vend.

Refik Kutrelli, nga komuna Orenje e Librazhdit, humbi këtë vit të 27 kosheret e bletëve. Bleta e fundit iku javën e kaluar dhe tani kanë mbetur kosheret me mjaltë. Familja Kutreli, përveç bagëtive, e kishte burim kryesor të ardhurash mjaltin.

Prej vitesh, Refiku është marrë me mbarështimin e bletëve, por ajo që i ka ndodhur në vitin 2016 e ka befasuar.

Është i shqetësuar nga fakti se ende nuk po kupton shkaqet se pse bletët i kanë ikur nga kosheret e nuk janë kthyer më.

“Nuk kam bërë analiza se pse bletët vdiqën, pasi ato kanë ikur për kullotë dhe nuk janë kthyer më. Të gjitha mjekimet i kam bërë. Ilaçet më vinin nga Greqia”, – thotë bletërritësi. Fenomeni, sipas tij, është i përhapur në të gjithë Librazhdin këtë vit dhe vetëm në komunën Orenje, rreth 2000 bletë nuk e kanë kaluar dimrin.

Humbjet për familjet fermere që sigurojnë jetesën në këtë mënyrë janë të mëdha.

Lexo po ashtu:  Imami kosovar thotë se boksi është haram (Video)

Bletërritësit e zonës në shumë raste bëjnë me faj kultivimin e drogës në kodrat përreth, e cila i ka harlisur bletët, të cilat nuk kanë gjetur më rrugën për t’u kthyer në koshere.

Kryetarja e Shoqatës së Bletërritësve të Shqipërisë, Lejla Shehu, ndërthur shumë faktorë që kanë çuar në këtë humbje.

Dimri i acartë, mungesa e standardeve në mjekim dhe përhapja masive e rriqrës kanë qenë faktorët kryesorë që kanë çuar në humbje.

Ajo nuk e përjashton faktin se kultivimi i drogës ka ndikuar negativisht, por shpjegon se nuk ka fakte shkencore ose të dhëna laboratorike për këtë fakt.

Por Shehu thotë se era e bimës mund të ketë ndikuar në trullosjen e tyre, duke bërë që bletët të humbin rrugën për në koshere.

Nga ana tjetër, bletarët të cilët kanë humbur bletën në kullotë, nuk gjejnë arsye tjetër, veç efekteve çoroditëse të hashashit. Fenomeni i humbjes së bletëve ka përfshirë të gjithë vendin pa përjashtim. Shyqyri Poçi, nga Komuna e Malit të Zi në Kukës, inxhinier pyjesh dhe që merret me bletarinë në një zonë ku dominon gështenja, tha se ky vit që dramatik për komunën. Ai tha se rreth 80 për qind bletëve nuk e kanë kaluar dimrin. E gjithë komuna llogaritet të ketë humbur rreth 1500 bletë.

SHPËRNDAJE