e Enjëte, 02 Shkurt 2012 12:23
Ministria e Infrastrukturës mund të detyrohet ta përjashtojë nga puna zyrtarin e saj kryesor të prokurimit, Bekim Gojani, bazuar në vendimin fundit që ka marrë të mërkurën “Gjykata e tenderëve”.
Në këtë vendim, i cili nuk figuron në ueb-faqen e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), por që e ka siguruar “Koha Ditore”, Ministria e Infrastrukturës është njoftuar se pas tri ditësh mund të sanksionohet për shkelje të Ligjit të prokurimit.
Masat për këto shkelje përfshijnë një gjobë prej pesë mijë eurosh, si dhe përjashtimin nga puna i zyrtarit kryesor të prokurimit, që vjen si pasojë e marrjes së certifikatës profesionale të tij.
Vendimi i OSHP-së është rezultat i “padëgjueshmërisë” së Ministrisë në lidhje me aktivitetin e prokurimit për projektin: “Sanimi i rrugës regjionale R-105, segmenti Klinë-Brojë”, i cili është dërguar në rivlerësim pas ankesave të disa kompanive për ndërtimin e rrugëve.
Burime të gazetës kanë bërë të ditur se prokurimi i Ministrisë së Infrastrukturës i ka dhënë tenderin një firme për 200 mijë euro më shtrenjtë sesa çmimi më i ulët që ka ofruar një firmë tjetër në tender. Pas njoftimit për dhënie të kontratës, katër kompani kanë bërë ankesë në OSHP, e cila kishte dërguar procesin në rivlerësim. Megjithatë, sipas burimit, prokurimi i MI-së ka tentuar që ta anulojë tenderin për herë të dytë.