e Premte, 27 Janar 2012 23:55
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim në mbledhjen e fundit të mbajtur të mërkurën që të ndajë zyrtarisht në dy njësi Postën dhe Telekomin e Kosovës. Nëpërmjet vendimit që ka hyrë në fuqi në ditën e firmosjes nga kryeministri Hashim Thaçi, njësia e Postës është shndërruar në ndërmarrje të veçantë publike, e ndarë nga njësia e Vala-s dhe ajo e Telekomit.
Në vendimin e nënshkruar të mërkurën, më 21 dhjetor, bazuar në raportin e hartuar nga menaxhmenti i PTK-së, thuhet se ndërmarrja publike qendrore Posta e Kosovës themelohet me ndarjen e njësisë postare nga ndërmarrja publike aktuale Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës. “Obligohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ndërmarrja publike PTK që themelimi i ndërmarrjes së re publike Posta e Kosovës të bëhet bazuar në raportin për ndarjen kontabël të PTK-së, të miratuar nga Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së”, thuhet në vendimin e Qeverisë.