Fotografi nga tmerret e luftës shpalosen në Prishtinë

Qindra fotografi me pamje nga lufta në Kosovë janë ekspozuar sot në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Fotografitë e Asllan Krasniqit paraqesin vuajtjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.

Këto fotografi janë ekspozuar nga shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta “Eksodi 99”.

Ekspozita u hap pikërisht në ditën kur po festohet nëntë vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ndërkohë që kanë tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve që kishin dalë për të festuar në sheshet e Prishtinës.

Sipas kryetarit të Shoqatës “Eksodi 99” mesazhi i kësaj ekspozite është që të mos harrohen të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për liri.

Jaha Lluka, organizator i kësaj ekspozite tha se kjo është një plagë popullore e vendit për shumë vite dhe për këtë edhe u organizua kjo ekspozitë.

“Ekspozita është marr me një iniciativë të Shoqatës për kthimin e shqiptarëve, në kuadër të 27 vjetorit të themelimit dhe 9 vjetorin e Pavarësisë, për arsye se kemi zgjedh fotografin e mirënjohur Asllan Krasniqin, i cili i ka përcjell kampet e refugjatëve dhe ka shumë fotografi të të shpërngulurve të mëhershëm. Kjo është një plagë popullore e kombit tonë gjatë shumë viteve dhe kemi deshtë sepse edhe titulli i ekspozitës është ‘Ta luftojmë harresën dhe ikjen’, për arsye se edhe sot kemi shumë ikje nga Kosova të cilat nuk po ndalen fatkeqësisht”.

“Kemi prit që pas Pavarësisë së Kosovës dhe lirisë nga okupatori serb, të mos kemi ikje nga Kosova por të kemi perspektivë dhe zhvillim, fatkeqësisht është se po ndodh e kundërta – shumë njerëz po ikin nga Kosova”, tha Lluka.

E autori i këtyre fotografive që ngjallën emocione tek qytetarët-vizitorë tregon se sa ishte e vështirë emocionalisht që të realizohen ato.

“Shumica e këtyre fotografive janë të realizuar në Kukës të Shqipërisë, dhe ka të tjera që janë në tjera vende, prej Belgjikës, në Turqi, Maqedoni. Vështirësia më e madhe për t’i realizuar këto foto kanë qenë emocionet”, tha Krasniqi.

Një ekspozitë e njëjtë hapet në mbrëmje edhe në Muzeun e Kosovës. /kp/

SHPËRNDAJE