Haki Abazi: Duke i ikur trendeve botërore, po bëhemi pjesë e mendësisë së fshatit Çabiq

Haki Abazi është analist i marrëdhënieve ndërkombëtare me një eksperiencë të gjatë në zhvillimin e sektorit të shoqërisë civile.

Ai po është njohës i politikës dhe gjeopolitikës së  Rajonit të Ballkanit. Ka menaxhuar e zhvilluar programe në vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropës Qendrore e Lindore, Afganistan e Indonezi, me theks të veçantë ngritjen e kapaciteteve qeverisëse dhe inkuadrimin e qytetarëve në vendimmarrje. Para se të bëhej drejtor i Fondacionit Rockefeller Brother për Ballkanin Perëndimor, ka drejtuar Zyrën e Kosovës për “East West Managment Institute, Inc.” Abazi ka marrur pjesë në shumë konferenca e tryeza dedikuar problemeve politike vendore e ndërkombëtare.

Në një intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, Abazi flet për skenën politike në Kosovë, dy marrëveshjet e Konferencës së Rambujesë, krizat ekonomike e politike, lojërat e ndërkombëtarëve në Kosovë prej UNMIK-ut e këndej, angazhimin e tij në politikë, zhvillimet e fundit në Shqipëri e Maqedoni.

Ndër të tjera Abazi thotë se “Ne jemi qytetarë të globit dhe nuk mund të mbetemi jashtë trendeve botërore sepse do të ishim pjesë e mendësisë së fshatit Ҫabiq-vetëm”.

GeR: Për nëntë vite, qysh prej shpalljes së pavarësisë e këndej, qeveritë e njëpasnjëshme veç sa e kanë thelluar krizën politike, ekonomike e sociale në vend. Kush mendoni që duhet të jap llogari për këtë degradim?

Abazi:  Në Konferencën e Rambujes padyshim janë diskutuar dy marrëveshje. Marrëveshja e parë ka qenë për të pranuar ndalimin e luftimeve dhe largimin e forcave serbe nga Kosova që nuk u nënshkrua nga pala serb. Marrëveshja e dytë, e cila si duket, është nënshkruar nën tavolinë dhe larg publikut vetëm nga disa anëtarë të delegacionit; Hashim Thaçi, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi. Këta të tre kanë qenë ideatorët e largimit të Ibrahim Rugovës dhe LDK-së me çdo kusht nga pushteti dhe sjelljen e së majtës Marksiste-Leniniste nga nëntoka në pushtet. Këtë e vërteton edhe ardhja “triumfale” në Prishtinë e figurave të njoma të politikanëve naivë në atë kohë, fill pas përfundimit të intervenimit të NATO-s. Ata nuk kanë pritur që do të jetë kaq e vështirë. U përballën me simpatinë dhe përkrahjen e pafundme e pa rezervë të qytetarëve për vizionin e Ibrahim Rugovës për shtet dhe respektin e tij për ata që luftuan për të mbrojtur vendin, por jo edhe për ata që u hoqën sikur luftuan por erdhën për të kapur shtetin. Përplasja dhe tentimi për të marrë pushtetin nuk ndaloi. Tentimet për ta vrarë Rugovën vazhduan bashkë me eliminimin e njerëzve të afërt me të, deri në dobësimin e LDK-së.

Përveç ndarjes së Mitrovicës dhe përkrahjes për të marrë pushtetin, kjo klasë manipuloi edhe luftën e UҪK-së dhe njerëzit që kishin luftuar. Udhëheqësit e tanishëm të PDK-së kanë eliminuar të gjithë njerëzit që kanë qenë direkt në luftë nga PDK-ja dhe kanë sjellë njerëz të cilët nuk kanë qenë të njohur fare, njerëz të nëntokës. Me përkrahjen e njerëzve me interesa të dyshimta, ata kanë mbajtur peng Mitrovicën, kanë instaluar ndikimin e tyre në Agjencionin për Privatizim, Ahmet Shalën, nëpërmjet të cilit atëherë kanë dhënë e privatizuar pronat shoqërore e publike duke instaluar ngadalë një sistem kleptokratik dhe duke mirëmbajtur një rrjet të gjerë të njerëzve që kanë punuar ilegalisht për SHIK. Ata kanë krijuar media dhe kanë marrë në kontroll institucionet dhe shpesh kanë sabotuar shtet-ndërtimin për interesa të veta. Pas vdekjes së dyshimtë të Ibrahim Rugovës, LDK-ja është dobësuar plotësisht dhe kapur nga brenda prej njerëzve të rekrutuar të SHIK-ut dhe lojërave të tyre.

Ata që i ndaluan pagesat për telefona dhe udhëtime, sot janë prijës të LDK-së nga procesi i aklamacionit, jo nga vota e aftësisë. Z. Ahmet Shala, që sot nuk i dëgjohet zëri askund, ka qenë dhe ministër i PDK-së më vonë dhe ka vazhduar t’u shërbejë njerëzve që për qëllim kanë pasur kapjen e shtetit dhe jo zhvillimin e tij. Kjo është për të konkluduar se nuk ka pasur  rëndësi se kush ka qenë në qeveri. Në fakt, kontrolli është bërë nga ata që kanë kapur pushtetin në emër të një ideologjie të majtë Jugosllave, duke tentuar që të kontrollojnë çdo gjë, përfshirë edhe universitetin, duke eliminuar këdo që u del përpara në qëllimet e tyre, siç është rasti me bashkëpunëtorët më të afërt Fatmir Limajn, Jakup Krasniqin, Familjen Jasharaj etj. Nuk është kursyer asgjë dhe janë bërë edhe procese të montuara politike e gjyqësore dhe diferencime të natyrave më të egra.

GeR: A kanë gisht perëndimorët në tërë këto lojëra?

Abazi: UNMIK ka dështuar në zbatimin e drejtësisë. Ata, si duket në bazë të marrëveshjes për të lejuar operimin e disa qindra oficerëve të Serbisë në Kosovë, siç ishte paraparë në Rambuje dhe në bazë të rezolutës 1244, kanë lejuar që SHIK-u të operonte ilegalisht apo në bazë të asaj marrëveshjeje. Të gjitha rastet e dokumentuara të krimeve politike të rënda kanë ndodhur në kohën UNMIK-ut dhe në fund e gjithë arkiva është djegur, kinse rastësisht. EULEX-i gjithashtu është kapur nga të njëjtat interesa të mbajtjes së njerëzve të caktuar në pushtet. Duhet pyetur z.Thaçi se pse ka insistuar që zyrtarë të caktuar të EULEX-it të mbesin në punë dhe t’u vazhdohen kontratat dhe çfarë roli kanë luajtur ata në dhënien e informatave njerëzve të caktuar apo përgatitjen e dosjeve të EULEX për personalitete të caktuara, që janë eliminuar dhe degraduar nga skena politike kosovare.

Gjithashtu, ICO ka dështuar në shumë drejtime sepse duke ngritur tema jo relevante, në fakt ka mbuluar dhe tejkaluar çështje të rëndësishme siç është zbatimi i ligjit dhe kontrolli i privatizimit të aseteve të rëndësishme. Më kujtohet shumë mirë privatizimi i çimentores së Hanit të Elezit, ku kompania zvicerane që kishte në menaxhim çimentoren ofronin dyfishin e çmimit por Agjencioni i Privatizimit së bashku me qeverinë e asaj kohe, nuk lejuan vlerësimin dhe marrjen parasysh të ofertës zvicerane dhe pranuan një ofertë me gjysmë vlerën e saj. ICO nuk intervenoi, përkundrazi, zyrtari i atëhershëm Andrea Kapucella mbuloi rastin duke thënë se ishte bërë marrëveshje shumë e mirë. Është e vërtetë se ai tani e kritikon ICO-në, por jo është vonë tani dhe ai, si të gjithë të tjerët, janë bashkëfajtorë për atë se çfarë ka ndodhur në vazhdimësi në shkatërrimin e institucioneve dhe llogaridhënies.

GeR: Javë më parë keni reaguar duke i cilësuar si shpifje disa prej deklarimeve të dhëna në emisionin Opinion (i realizuar më 28 shkurt të këtij viti), ku u trajtua tema: Si ka ndikuar Soros-i në Shqipëri. A mund t’ju pyesim si ka ndikuar Sorosi në Kosovë?

Abazi: SOROS në Kosovë, si kudo tjetër ku bëhen përkrahje filantropike, është qëllim mirë dhe në përkrahje të avancimit të lirisë së fjalës, medieve dhe ngritjes së shoqërisë civile. Nëse dikush mund të tregojë se SOROS paska dhënë grante për armatim, për linçim, apo vrasje të njerëzve atëherë mund të flasim ndryshe. Nëse dikush, kush do që është ai apo ajo, ka dhënë fonde për të krijuar debat, platformë demokratike për përplasje të ideve dhe alternativave, hulumtim të opinionit, apo fonde për të studiuar atëherë kjo duhet përshëndetur sepse po mundësohet një diversitet i mendimit dhe gjithashtu një hapësirë në të cilën mund të mendohet lirshëm dhe në mënyrë të pavarur. Nuk kuptoj si është e mundur që një kastë e njerëzve që kanë përfituar nga krimi ekonomik, janë sekserë biznesesh, kanë hapur media me të cilat u shërbejnë agjendave të dyta dhe ju vërsulen njerëzve dhe bëjnë gjyqe, shpallin njerëzit terrorist duke ju vendosur etiketa. Njerëzit që kanë qenë apo janë bashkëpunëtorë me udhëheqësit e SHIK-ut të cilët akuzohen nga agjentët e tyre se kanë vrarë njerëz, tani bëhen sikur janë përkrahës të shoqërisë demokratike që SOROS e paska rrezikuar. Më falni, kjo nuk ka kuptim. Ato që kam dëgjuar në OPINION, përveç që janë fjalë të kota pa fakte, janë dokrra të rënda të njerëzve që nuk e kuptojnë bazën elementare të demokracisë që ka të bëjë me respektimin e ligjit dhe të drejtën e njerëzve për të avancuar me njohuritë e veta përbrenda sistemit global të funksionimit.

Ne jemi qytetarë të globit dhe nuk mund të mbetemi jashtë trendëve botërore sepse do të ishim pjesë e mendësisë së fshatit Ҫabiq- vetëm. Gjithashtu, ka një gjë shumë bazike që është e humbur aty; nevoja dhe dashuria e individëve për njerëzimin dhe planetin. Ata mendojnë siç janë vet, se të gjithë njerëzit kanë qëllime meskine dhe të poshtra. Filantropët dhe njerëzit human me shpirt të madh kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë përgjithmonë.

GeR: T’i lëmë mënjanë konspiracionet, ju nuk është që shquheni për ndonjë anim politik, në kuptimin e mbështetjes së ndonjë subjekti. Megjithatë mundësinë e futjes në politikë, nuk e keni mohuar, a do t’i futeni politikës?

Abazi: Është e vërtetë që nuk anoj nga asnjëra parti politike dhe kam vijat e kuqe sa i përket bashkëpunimit. Me individët e apostrofuar që kanë duart me gjak, nuk dua as të jem pjesë e tavolinës së njëjtë. Jam i bindur që politika sado e ndytë që të jetë, nuk mund të jetë instrument për të abortuar ligjin sepse atëherë kemi të bëjmë me politikë të kriminalizuar dhe marrë peng nga krimi.

Unë jam në politikë sepse çdo gjë që bëj, edhe si individ edhe si profesionalist në fushat ku punoj, janë çështje politike apo politikisht të ndikuara. Sa i përket marrjes së përgjegjësisë për të hyrë në garë politike, ajo kohë do të vije, por jo duke iu bashkuar subjekteve politike si fytyrë publike para zgjedhjeve, ashtu siç ndodhë zakonisht.

Unë nuk jam vetëm, as që dua të njihem si personalitet i përveçëm sepse askush vet nuk mund të përballet me sfidat që do të ishin normale, e lëre më me këto që janë krijuar si pasojë e një procesi të degraduar plotësisht. Kjo do të thotë që koncepti ynë politik është rikthim tek uniteti dhe konsensusi nacional për çështjet e rëndësishme të shtetit, dhe çlirimin e energjive pozitive nga ky ngërç që është shkaktuar nga interesat e ngushta dhe të varura nga interesat e të tjerëve për kontrollin e resurseve dhe për përftim.

Nuk ka politikë dhe qeverisje të suksesshme nëse dikush tjetër i kontrollon dhe menaxhon resurset kryesore të shtetit. Zbatimi i ligjit, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm lokal, arsimi e shëndetësia, janë shtyllat e një shteti dhe shoqërie që jeton me dinjitet, ruan vlerat dhe është i gatshëm që si partner të funksionojë edhe në rajon edhe në botë.

GeR: Po që se veç vendosni të bëheni pjesë e rrjedhave politike, ç’qëndrime do të mbronit në lidhje me çështjet si demarkacioni, ushtria dhe veriu i Mitrovicës?

Abazi: Çështja e demarkacionit është shumë e lehtë nëse nxirret nga lojërat dhe manipulimet politike. Në kontaktet e mia me autoritetet malazeze, kanë shprehur gatishmërinë e plotë për të rishikuar marrëveshjen që nga fillimi apo për ta dërguar në arbitrazhe ndërkombëtare. Në cilindo rast, çështja e demarkacionit është një inat që vije nga nënshkrimi i një anshëm i Hashim Thaçit dhe premtimi i tij se do ta kryejë dhe e dyta, që po tentohet të krijohet situatë eliminimi/thyerje politike e Ramush Haradinajt nga gara politike, gjë që po arrihet me sukses sikurse në momentin kur ai u bë kryeministër i Kosovës dhe u dërgua në Hagë për t’u liruar dy herë. Për ushtrinë, Plani i Ahtisarit është shumë i qartë sa i përket mandateve të rezervuara dhe afatin kohor të tyre.

Ushtria duhet krijuar bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe paraprakisht duhet bërë ndryshimet kushtetuese dhe kjo do të ndodhte në referendum qytetar. Do të thotë, ushtria do të ishte çështja e parë që do të kthente referendumin qytetar si instrument të deklarimit të qytetarëve që është karakteristikë e vendeve të pavarura. Kontrolli dhe mbikëqyrja ndërkombëtare efektivisht ka mbaruar – Plani i Ahtisarit lejon plotësisht këtë gjë. Pas afatit kohor të përcaktuar, çështja e Ushtrisë do të zgjidhej në atë mënyrë dhe jo duke lejuar që kushdo ta sabotojë procesin për interesa të ngushta ditore politike.

Mitrovica e Veriut gjithashtu nuk ka nevojë për ndihma humanitare e as për intervenime nga programe politike,  as nga Qeveria e Kosovës e as nga Qeveria e Serbisë, por ka nevojë për një plan zhvillimor ekonomik lokal që hap fabrikat dhe vendet e punës, duke lejuar që njerëzit të bëhen të pavarur nga fondet e qeverisë të cilat gjithashtu iu kontrollojnë veprimet e tyre politike. Kjo gjë është e njëjtë si në veri ashtu edhe në jug. Njerëzit veprojnë dhe manipulohen politikisht duke qenë se janë të varur nga pagat dhe investimet e qeverisë. Nëse sektori privat dhe vendet e punës do të ishin në dispozicion, edhe përfaqësimi politik dhe qëndrimet do të ndryshonin në të njëjtën kohë. Zbatimi i ligjit nuk ka mundësi të bëhet në mënyrë selektive, por duhet të jetë njëjtë, si në jug ashtu edhe në veri. Veriu është pasojë e bashkëpunimit të krimit të organizuar politik dhe ekonomik ,edhe nga serbët edhe shqiptarët, të cilët po përfitojnë nga ekonomia jolegale dhe mungesa e kontrollit të burimeve të Trepçës dhe aktiviteteve tjera jolegale ekonomike. Nuk është krejt etnik ky problem ashtu siç duket dhe është krijuar si artificial që nga 99-ta. Aty duhet kërkuar zgjidhjen duke i larguar përfituesit e një ndarjeje të tillë – ata nuk janë qytetarët, sepse kjo është e qartë besoj tanimë.

GeR: Si i shihni zhvillimet në Shqipëri?

Abazi: Shqipëria ka bërë një evolucion të rëndësishëm në ecjen e saj zhvillimore. Hyrja në NATO dhe hapja e kapitujve për reformë për integrim në BE, janë dy gjërat më të rëndësishme që karakterizojnë këtë zhvillim. Por, kjo nuk është e mjaftueshme dhe është pasojë e një kulture të munguar politike që të arrihet konsensus pas zgjedhjeve për atë si do të ecet përpara. Është polarizuese gjuha që përdoret në parlament dhe publik e kjo domosdo polarizon edhe elektoratin dhe qytetarët deri në masën e armiqësisë. Unë mendoj që Shqipëria duhet të hapë dosjet e komunizmit me urgjencë dhe në këtë proces duhet të ndodhë pajtimi i popullit, ashtu siç kishte ndodhur pajtimi gjaqeve në Kosovë. Ka shumë dhembje në Shqipëri. Shqipërisë i duhet një proces që kthen shpirtin unifikues për të riorganizuar energjitë për një zhvillim dhe ndërtim standardesh dhe vlerash në politikën dhe shoqërinë shqiptare.

GeR: Po situatën në Maqedoni, respektivisht rolin e subjekteve politike shqiptare atje?

Abazi: Ajo që ka ndodhur me shqiptarët në Maqedoni në zgjedhjet e fundit është befasia më madhe e mundur. Në mënyrë strategjike shqiptarët votuan për Lidhjen Social Demokrate, duke e sjellë atë në nivelin e barabartë me VMRO- DPMNE. Gjithashtu shqiptarët treguan mençurinë dhe pjekuri politike duke krijuar një koalicion të përbashkët, për të larguar nga qeverisja një koncept anti-evropian dhe anti-NATO. Kjo më bën shumë optimist që në fakt vota qytetare megjithatë ka mundësi të ndryshojë edhe procese që duken të pakthyeshme. Shpresoj të vazhdoj që faktori politik shqiptar në Maqedoni të jetë pjesë konstruktive e agjendës Euro-Atlantike sepse aty është e ardhmja e Ballkanit dhe çka do tjetër, është dëshmuar edhe në Histori, ka sjellë luftëra dhe jo stabilitet./Gazetaere/

SHPËRNDAJE