Hoxhaj: Shtyrja e vendimit për Haradinajn, zhgënjyes dhe i papranueshëm

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në një adresim para deputetëve të Kuvendit tha se shtyrja e vendimit nga gjykata franceze për Ramush Haradinajn është zhgënjyes dhe i papranueshëm për shtetin e Kosovës.

Ai tha se sot, pas shtyrjes së vendimit, këtë qëndrim të tij dhe të Qeverisë së Kosovës ia ka përcjellë Ambasadës së Francës në Kosovë, e që kjo ambasadë do t’ia përcjellë ministrit të Jashtëm francez.

“S’ka asnjë arsye të shtyhet vendimi ndaj Haradinajt dhe të shtyhet qëndrimi i tij atje”, u shpreh Hoxhaj para deputetëve, duke ritheksuar se vendimi i autoriteteve gjyqësore franceze është zhgënjyes dhe i papranueshëm.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës tha se do ta ketë një takim me drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe do ta bëjnë një vlerësim se si do t’i qasen këtij procesi.

Ai po ashtu tha se lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje janë në koordinim edhe me vet liderin e AAK-së.

Ministri i Jashtëm kërkoi nga të gjithë që raportet e Kosovës me Francën të shihen si raporte me vendet mike dhe të vlerësohet roli i Francës në proceset e shtetformimit dhe shtetbërjes së Kosovës.

Ai tha se ndalimi i Haradinajt në Francë është pasojë e politikës së Serbisë në raport me Kosovën dhe është mirë e menduar.

ARTIKUJ TJERË:
Loading...
SHPËRNDAJE