Isa Mustafa s’e lëshon “timonin” e LDK-së

Edhe pas rrëzimit të Qeverisë që e ka drejtuar për më shumë se dy vjet Isa Mustafa nuk do ta lëshojë “timonin” e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ky subjekt politik do të shkojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, duke e prezantuar edhe njëherë Mustafën si kandidat për kryeministër të vendit.

Mustafa ka shprehur gatishmërinë e subjektit të tij politik për zgjedhje, por duke hedhur poshtë mundësinë që të bëjë koalicion me PDK-në e Kadri Veselit, e cila i ndihmoi opozitës të mërkurën që ta rrëzojë Qeverinë.

“Prishja e koalicionit që lamë pas ishte një veprim i njëanshëm i PDK-së, një thyerje e marrëveshjes sonë. Ne nuk e shohim fare se në këtë është dëmtuar LDK-ja, por e shohim se është dëmtuar vendi për arsye se është krijuar një vakum në të cilin do të pësojnë shumë fusha”, ka thënë Mustafa, shkruan gazeta “Zëri”.

Kryeministri në largim tashmë e ka të qartë me kë dëshiron të bëjë koalicion.

“Për koalicione nuk kemi vendosur me kënd, por kemi lënë hapësirën që tani të diskutojmë, të shohim se me cilat parti do të gjejmë gjuhë të përbashkët, interesim të përbashkët, jemi të hapur edhe për koalicione parazgjedhore. Në ato lista nuk është PDK-ja”, ka shtuar Mustafa.

Hyseni: Deklaratat për largim të Mustafës, spekulime

Kreu i LDK-së më tej ka njoftuar se subjekti që ai përfaqëson do t’i fillojë përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme.

“Ne e thirrëm sot kryesinë dhe kryetarët për t’i bërë përgatitjet për zgjedhje, u morëm vesh për agjendat edhe të informimit, edhe të punës në terren. Me kryetarë të degëve po ashtu u morëm vesh që ata t’i bëjnë komisionet zgjedhore, t’i përgatisin propozimet për deputetë të cilët do t’i marrin nga degët shpejt, sepse nuk ka kohë që të presim për arsye se agjenda e Komisionit Qendror Zgjedhor është shumë e ngjeshur”, ka thënë Mustafa.

Edhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i ka hedhur poshtë pretendimet se Isa Mustafa do të largohet nga drejtimi i këtij subjekti. Ai ka siguruar se Mustafa do të jetë në krye të LDK-së deri në Kuvendin e ardhshëm Zgjedhor të LDK-së.

“Isa Mustafa është kryetar i LDK-së, deri në Kuvendin e ardhshëm të LDK-së”, ka thënë Veliu.

Njëjtë me Veliun është shprehur edhe Skender Hyseni, i cili i ka quajtur spekulime deklaratat për largim të Mustafës nga drejtimi i LDK-së.

“Këto janë spekulime eklatante të shkëlqyera, fantastike, fantastikë-shkencorë”, ka thënë Hyseni.

Derisa deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, mendon se në këtë fazë gjërat duhet analizuar mirë. Sipas tij, për reformimin e partisë vendosin vetëm strukturat e larta të saj.

“Tani mendojmë se është një proces i ngushtë, edhe mendoj se gjërat duhet të analizohen shumë mirë. Për ato çështje institucionet e partisë vendosin”, ka thënë Bulliqi.

SHPËRNDAJE