Dhjetë teoritë më të çuditshme të konspiracionit për vrasjen e JFK-së

  • Shtune, 23 Nentor 2013 00:13
  • Kategoria LifeStyle

Versioni zyrtar i vrasjes së John F. Kennedyt shumë herë është temë e diskutueshme, ndërsa gjatë dekadave ka pasur edhe shumë teori bizare të konspiracionit.

Të premten Shtetet e Bashkuara shënuan 50 vjetorit e vrasjes së presidentit John Fitzgerald Kennedy. Ai është i njohur si një nga presidentët më popullorë në mesin e amerikanëve. Por, gjatë 50 viteve të fundit është përmendur shpesh në kontekstin e teorive tejet konspirative në lidhje me mënyrën se si ai u vra.

Shumë herë flitet se vrasjen e tij e organizuan CIA apo Fidel Castro, prandaj në vazhdim do t’ju japim shpjegimin e dhjetë teorive tjera më të çuditshme se kush e ka vrarë presidentin e 35-të amerikan, ashtu siç shkruan ditorja britanike The Independent.

10. Shoferi i limuzinës presidenciale

Në librin e tij të botuar më 1991, teoricienti i konspiracioneve William Cooper, thotë se vrasjen e ka kryer shoferi i limuzinës së Kennedyt, agjenti i shërbimit sekret, William Greer. Cooper ka shkruar se kishte në posedim xhirimet sekrete ku shihet se si Greer e vret Kennedyn me një pajisje që e kanë ndërtuar jashtëtokësorët e Trilaterales.

Arsyeja për vrasjen, sipas tij, është qëllimi i Kennedyt që opinionit botëror t’i bëhet publik tentimi i alienëve për ta marrë kontrollin e planetit .

Cooper xhirimin “sekret” e ka publikuar dhe aty njëmend shihet Greer se si dy herë kthehet në drejtim të ndenjëses së pasme, por analizat e shumta kanë treguar se fjala është për një “gënjeshtar”, që u bazua në xhirimet e përpunuara të Abraham Zapruderit, i cili me kamerën e tij private rastësisht ka filmuar atentatin.

9. Shërbimi sekret

Në librin “Gabimi vdekjeprurës: E shtëna që vrau JFK-në”, autori Bonar Menninger shpalos teorinë sipas të cilës përgjegjës për vrasjen e Kennedyt është agjenti George Hickey, i cili vozitej në një nga makinat e që kanë shoqëruar limuzinën presidenciale. Sipas kësaj teorie të përpunuar në detaje, Hickey rastësisht kishte shtënë në njeriun e parë të SHBA-ve, pasi makina papritmas u ndalë.

8, Njeriu me Ombrellë

Louie Steven Witt , i njohur gjithashtu si një Njeriu me Ombrellë, rastësisht kishte hasur në një kuadër të Zapruderit, ndërsa “ka kapur” edhe disa kamera që qëndrojnë pranë autostradës ku u krye atentati.

Edhe pse 22 nëntori 1963 ishte i thatë dhe me diell, Witt në duar mbante një ombrellë. Kështu, u shfaq interpretimi se iu dha shenja vrasësve, ndërsa thuhej se ombrella ishte arma e fshehur dhe se Witt ishte atentatori.

Më vonë doli se ai në fakt e mori ombrellën në shenjë proteste ndaj babait të Kennedyt, i cili i dha përkrahje të kryeministrit britanik, Neville Chamberlain, në lëshimet ndaj nazistëve gjermanë (marrëveshja që lejon aneksimin e Çekosllovakisë - v.j.). Chamberlain në publik shpesh mbante një ombrellë të zezë .

7. Masonët

Nënkryetari i Kennedyt, Lyndon B. Johnson, thuhet se ishte një mason, ashtu si Gerald Ford, presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara dhe një anëtar i Komisionit Warren që hetoi këtë vrasje.

Menjëherë ka pasur spekulime se përgjegjës për vrasjen janë muratorët e lirë (masonët). Megjithatë, prova për këtë teori nuk ka.

6. Lyndon Johnson

Avokati nga Arizona, Craig Zirbel, ka shkruar dy libra ku thuhet se vrasja është planifikuar nga zëvendësi i Kennedyt. Ai pretendon se ky është i vetmi që kishte motiv dhe burime për hartimin e vrasjes.
Në një nga librat ai shkruan se Johnson kishte mospajtime të shumta personale dhe politike me Kennedyn, dhe se vendimin i tij për zbatimin e krimit e përshpejtoi dëshira e tij për të jetuar në Shtëpinë e Bardhë para se të plakej!

5. Joe DiMaggio

Historia sipas së cilës pas vrasjes së Kennedyt ishte lojtar i famshëm i bejsbollit Joe DiMaggio, për herë të parë u paraqit në një strip, por aty pastaj u lidhën shumë teori të konspiracionit .

DiMaggio thuhej se donte ta vriste presidentin sepse ai ka urdhëruar vrasjen e ish gruas dhe dashnores së presidentit, Marilyn Monroe.

4. Rezervat Federale

Gazetari dhe autori i teorive të shumta konspirative, Jim Marrs, në librin e tij pohon se vrasja e JFK-së është urdhëruar nga institucionet qendrore monetare të SHBA-ve. Motivi supozohet të ishte Dekreti i Kennedyt, nr. 11110, me të cilën kufizohej fuqia e rezervave federale

Edhe pse thuhet shpesh se dekreti përmbyset nga zëvendësi i Kennedyt dhe trashëgimtari i tij, Lyndon Johnson, ajo në të vërtetë mbeti në fuqi deri në vitin 1987.

Kjo teori ka shërbyer si inspirim për filmin e regjisorit të madh, Oliver Stone - “JFK”.

3. Coca-Cola

Një nga teorisë më të çuditshme është se Lee Harvey Oswald (i cili sipas versionit zyrtar është vrasësi - v.j.), e ka vrarë presidentin për shkak të çrregullimit mendor që rezulton nga varësia në sheqerin e rafinuar. Sipas teorisë, thuhet se vrasësi pas aktit të kryer ka pirë disa Coca-Cola.

2. Jackie Kennedy

Teoricientët e konspiracionit kanë përmendur xhirimin e Zapruderit i cili shfaq duhmë duhani në anën e majtë të kokës së Kennedyt. Duke pasur parasysh se as presidenti dhe as Zonja e Parë nuk kanë pirë cigare, thuhet se duhani ka dalë nga një pajisje e panjohur .

Kjo teori thotë se prapa kësaj qëndronte Jackie, e cila dyshohet se vrau burrin në bashkëpunim me John Connallin, atëherë Guvernatori i Teksasit, i cili në shkëmbimin e zjarrit në Dallas (ku u vra Kennedy - v.j.) ishte vet i plagosur.

1. U vra sepse interesohej për jashtëtokësorët

Hetuesi i paranormales, William Lester, para disa vitesh botoi librin ku thuhet se dokumentet e CIA-s, të cilat i mori bazuar në ligjin amerikan për qasje në informacione, tregojnë se Kennedy dhjetë ditë para vrasjes kërkonte dokumentet për UFO-t.

Përkrahje për këtë teori kanë dhënë shumë “ufologjistë”, por vërtetësia e dokumenteve të Lesterit nuk është vërtetuar kështu që teoria e tij qëndron në këmbë të qelqta.

Vlersoje këtë lajm
(0 vota)

Shto një koment

© Të gjitha të drejtat janë të rezervuara 2008-2013 Portali INFOKOSOVA. Portali “INFOKOSOVA” është biznes privat i certifikuar nga Minisitria e Tregëtis dhe Industrisë së Kosovës. Kontakti: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. Materialet dhe informacionet mund të kopjohen, të shtypen dhe të përdoren por vetëm pas referimit të qartë të burimit të Portalit INFOKOSOVA.

Kontakti

Për ne