Rashiti: Turqia e Erdogani kanë ndikim në Kosovë e rajon

Analisti Naim Rashiti në një intervistë për DW flet për ndikimin që mund të ketë në Kosovë Erdogani pas rezultatit të referendumit për ndryshimet kushtetuese në Turqi.

DW: Zoti Rashiti, pas rezultateve të referendumit për ndryshimet kushtetuese në Turqi dhe fitores së Erdoganit Prishtina zyrtare akoma nuk e ka komentuar rezultatin e këtij referendumi. Si e shpjegoni këtë fakt?

Rashiti: Mbajtja e referendumit dhe fitorja e Erdoganit ka të bëjë me ndryshimin e qeverisjes në tërësi, diçka që ndryshon edhe formën e politikës që ka funksionuar që nga viti 1913. Kështu që është një diçka që sjell shumë panjohuri, shumë paqartësi për veprimet e shtetit turk jo vetëm brenda, por edhe jashtë Turqisë. Ndryshimet e politikave që i ka bërë Turqia vitet e fundit nga një konflikt potencial me Rusinë në një miqësi të konsoliduar, tregon një paqëndrueshmëri politike të Turqisë në politikat ndërkombëtare. Dhe modeli Erdogan tregon se si arrihet një fuqi maksimale politike, një kontroll politik përmes një qeverisjeje afatgjatë. Në këtë aspekt shoqëria kosovare e di që ky model i qeverisjes bie ndesh me vlerat evropiane të synuara nga Turqia dhe do ta vendosë në një marrëdhënie afatgjatë Turqinë me Perëndimin. Edhe Perëndimi i ka fajet e veta në raport me Turqinë, por, sido që të jetë, fitorja e Erdoganit nuk është lajm i mirë as për turqit, e as për zhvillimet rajonale. Dhe modele dhe ambicie si të Erdoganit në Turqi, tashmë ka vite që janë shfaqur në Maqedoni e Serbi, kështu që rajoni i Ballkanit po bëhet me pak demokratik.

DW: Si e shpjegoni faktin që pas dështimit të “puçit” ne Turqi vitin e shkuar ishin politikanët kosovare të parët që u rreshtuan përkrah Erdoganit, ndërsa, tash pas fitores së tij në referendum akoma nuk e thonë asnjë fjalë?

Rashiti: Nuk besoj që atëherë ka qenë e analizuar mirë dhe që është e analizuar mirë tash. Në kohën e puçit shqetësimet në Ballkan dhe Perëndim ka qenë rreth stabilitetit të Turqisë, për faktin që edhe shtetet perëndimore edhe SHBA-së kanë dënuar puçin. Dhe shpesh politika kosovare rreshtohet në të njëjtën vijë me Perëndimin, pra kanë qenë veprime të momentit, kërkesa afatshkurtra për të cilat nuk është menduar që do të vijë deri në situatën e tillë ku Erdogani, për befasi të të gjithëve, ndryshoi kursin e politikës në raport me Rusinë. Tash e tutje besoj se njerëzit do të jenë më të kujdesshëm, në veçanti politika në Ballkan në raport me ambiciet e liderit të ri turk. Ka zëra që thonë se ky referendum nuk e ka forcuar pushtetin e Erdoganit, por, në realitet i ka dhënë të drejtën atij që të qëndrojë në pushtet edhe 12 apo 13 vite.

DW: Bazuar në lidhjet qe janë krijuar Turqi-Kosovë tash e sa vite që nga përfundimi i luftës, cili duhet të jetë pozicioni i Kosovës në raport me Turqinë, pas referendumit atje?

Rashiti: Nuk e besoj që do të ketë ndonjë efekt të shpejtë në raport me bashkëpunimin ekonomik, kompanitë turke do të vazhdojë të interesohen për investime, qoftë në Kosovë, qoftë në rajon. Por nuk do të jetë kohë e largët kur qëndrimet e Prishtinës duhet të qartësohen në raport me qëndrimet e Perëndimit ndaj Turqisë, si shembull do të vijë shumë çështja e ligjit për dënimin me vdekje, për të cilin Kosova do të duhet të deklarohet të ketë një qëndrim, apo bashkëpunimin me organizatën qeveritare turke TIKA; pastaj çështjet e tjera që mund të rrjedhin, çështjet e azilkërkuesve, çështjen e liberalizimit të vizave, ku fatkeqësisht Kosova po rrezikon të futet në një pako me Turqinë. Pra në vitet e ardhshme jo krejt me fajin e Turqisë, distanca ndërmjet Perëndimit dhe Turqisë do të rritet dhe në këtë raport Prishtina do të duhet të ripozicionet.

DW: Zoti Rashiti, e përmendet më herët, por të lutëm ma shpjegoni pak më në detaje: Turqia ka ndikim në Kosovë, qoftë nga lidhjet ekonomike, qoftë me pakicën turke, por, qoftë edhe me vizitat që Erdogan ka bërë në Kosovë të paktën dy herë dhe ku është shoqëruar gjatë gjithë kohës nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi. Cilat janë efektet e rezultatit të referendumit turk në në Kosovë në fusha të caktuara?

Rashiti: Marrëdhëniet e Turqisë me Kosovën janë konsoliduar që në vitet 1990 dhe Turqia ka qenë një mbështetëse e madhe e Kosovës. Edhe pas luftës Turqia e ka shtrirë ndikimin jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin dhe ndikimin kryesisht e ka pasur përmes zhvillimit ekonomik dhe asistencës ekonomike apo zhvillimore. Dhe natyrisht politika e Erdoganit në qendër të zhvillimeve jashtë Turqisë e ka pasur Ballkanin dhe Kaukazin, e në Ballkan janë tri vende për nga rëndësia. E para Bosnja për nga rëndësia, Maqedonia e dyta dhe Kosova e treta. Investimet turke siç i dimë ne kanë ndodhur në bazë të marrëveshjeve politike, pra nuk kanë ardhur si rezultat i një konkurrence korrekte. Me këto çështje Kosova do të ballafaqohet së shpejti, kur duhet të aplikojmë në mënyrë më strikte rregullat dhe politikat ekonomike evropiane të konkurencës dhe kërkesës. Ndërsa çështja e dytë është afërsia e kosovarëve me të kaluarën me Turqinë, lëvizja e lirë pa viza në Turqi dhe gjërat e tjera, e kanë bërë të vetën kur ka ardhur deri të një përafrim më shumë i qëndrimeve të Kosovës në raport me Turqinë. Kjo është edhe rezultat i mungesës së liberalizimit të vizave, ku kosovarët nuk gjenin vende të tjera shembull për të pushuar përveç Turqisë dhe lidhjeve të biznesit me Turqinë, kështu që Turqia ka plotësuar një vakum të theksuar këto vitet e fundit. Pra është një realitet i krijuar që Turqia ka një impakt në zhvillimet shoqërore në Kosovë.

DW: Zoti Rashiti, turqit e Kosovës thuhet se në masë të madhe kanë votuar në favor të ndryshimeve kushtetuese në Turqi, si e shpjegoni këtë fakt?

Rashiti: Erdogan ka bërë diçka për Turqinë dhe për atë e ka fituar referendumin dhe ka qenë pikërisht qeverisja e Erdoganit që ka vendosur linja të përhershme bashkëpunimi ndërmjet Turqisë dhe turqve të Kosovës dhe fakti që pushteti i Erdoganit ka qenë më bashkëpunuesi dhe me kontribuuesi për zhvillimin e komunitetit turk në Kosovë, ka bërë që turqit e Kosovës ta përkrahin Erdoganin, por këtë nuk e shoh të rrezikshme, sepse turqit e Kosovës nuk ka ndonjë impakt në Turqi dhe rajon për shkak se janë shumë pak në numër.

Naim Rashiti është analist dhe drejtor ekzekutiv i Grupit Ballkanik për Politika (BPRG).

SHPËRNDAJE