3 të arrestuar për kontratat e Telekomit me dyqanet e telefonave

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se janë arrestuar tre persona nën dyshimet për mashtrim në prokurim publik e shmangie nga tatimi lidhur me kontratën e lidhur mes Telekomit të Kosovës dhe “Zone Mobile”.

Në njoftim thuhet se kontrata ka pasur vlerën e rreth 450 mijë euro.

Muajin e shkuar u patën arrestuar katër persona, ndërsa tani edhe tre.

Gjatë aksionit të kontrollimit të shtëpive dhe lokaleve në Prishtinë, Pejë e Prizren, janë konfiskuar dokumente të ndryshme e mallra në vlerë rreth 30 mijë euro, ka njoftuar PTH-ja.

Pronari i këtij operatori ekonomik, F.A. dyshohet për veprën penale të keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik dhe shmangie nga tatimi.

Për shmangie nga tatimi dyshohet edhe A.P. nga Peja, pronar i kompanisë “Kompex”.

Ai dyshohet edhe për dokumente të rrejshme lidhur me tatim.

I treti i arrestuar është G.H. nga Prizreni.

Pronari i kompanisë “Versacop” dyshohet për shmangie nga tatimi e dokumente të rrejshme lidhur me tatimin./indeksonline