6 raste pozitive në një diskotekë të Cyrihut, 300 mysafirë futen në karantinë

Një event i ashtuquajtur “Superspreader” (super shpërndarëse) ka ndodhur së fundi në kantonin e Cyrihut.

Një person që ishte mysafir në klubin e njohur “Flamingo” në Cyrih më 21 qershor ka rezultuar pozitiv pas testit që i është bërë për Covid-19.

Pesë persona të tjerë që ishin në klub me të kanë rezultuar gjithashtu pozitivë me koronavirus, transmeton albinfo.ch.

Ky lajm u bë i ditur nga departamenti i shëndetësisë i Kantonit të Cyrihut.

Rasti është raportuar në shërbimin mjekësor kantonal në mbrëmjen e 26 qershorit 2020.

Operatori i klubit vetëm atëherë ishte në gjendje të kontaktonte gjurmuesit e kontaktit të kantonit të Cyrihut me një listë të të dhënave të kontaktit që e kishte bërë për vizitorët e klubit.

Falë listës së kontakteve, ekipi i gjurmimit të kontakteve ka arritur të informojë sot mysafirët e klubit për karantinën të cilës ata duhet t`i nënshtrohen.

Për afro 300 të mysafirë dhe punonjës të klubit që ishin të pranishëm në mbrëmjen në fjalë, shërbimi mjekësor kantonal ka urdhëruar një karantinë dhjetë ditore për të ndërprerë kështu zinxhirin e infeksionit.

Në rast se konstatohen sërish raste të tilla, duhet të merret parasysh edhe mbyllja e klubeve, thonë në shërbimin kantonal në fjalë.