E premte, 28 Shkurt, 2025
8 C
Pristina

Ridrejtimi i dhunës: Top Channel dhe rikthimi i controverses në Big Brother VIP Albania

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

“Top Channel” ka arritur kulmin e papërgjegjshmërisë mediatike duke rikthyer në “Big Brother VIP Albania” dy banorë të përjashtuar me zarf të zi për dhunë e sjellje të papranueshme, si dhe një tjetër që zgjodhi vetë të largohej nga formati.

G-Bani, i përjashtuar për dhunë fizike, Jozi, i nxjerrë për gjuhë diskriminuese dhe urrejtje etnike, dhe Amber Candy, e cila u largua me dëshirë të plotë duke deklaruar se “është degjeneruar në mënyrë të tmerrshme”, tani po serviren sërish në ekranet tona përmes një farse votimi që tallet hapur me inteligjencën e publikut.

Të rikthehen individë të tillë, që kanë demonstruar sjellje të papranueshme, është një akt i rrezikshëm që e pasqyron klimën e dhunës dhe intolerancës që po forcohet në shoqërinë tonë. Ky manipulim i turpshëm, i maskuar si një “votim publik” ku Gjestit iu dha mundësia të zgjidhte shtatë banorë dhe publiku do të votonte për tre, është thjesht një tjetër demonstrim i strategjisë cinike të “Top Channel” për të gjeneruar klikime dhe shikueshmëri me çdo kusht – edhe nëse kjo do të thotë të shkelësh çdo parim etik dhe rregull të formatit ndërkombëtar.

A ka kufi degradimi moral? “Top Channel” ka shndërruar dhunën në spektakël, duke na shitur dhunuesit si yje dhe racistët si argëtues. Njerëzit e kësaj natyre, të cilët kanë provuar të shkaktojnë dhunë, nuk duhet të kthehen për të bërë spektakle. Nga ana tjetër, pritet që mediat të marrin përgjegjësinë për të promovuar vlera pozitive dhe jo të inkurajojnë sjellje të dëmshme.

Këta janë “VIP-at” e dorës së dytë që nuk po promovojnë asgjë përveç dhunës, ofendimeve, bullizmit dhe injorancës. Rasti i Gerta Gixharit, e cila sulmoi dy herë me alkool Gjestin, u trajtua si një incident i parëndësishëm që mund të zgjidhej me një “votim publik”. Kjo tregon se sa të humbur janë ndjeshmëria dhe përgjegjësia morale në këtë studio televizive.

G-Bani, i cili ushtroi dhunë fizike ndaj Gjestit, dhe Jozi, që përdori terma racist si “kopil shkine”, tani po rikthehen në të njëjtën shtëpi ku shkaktuan kaos – një vendim që çon ujë në mullirin e normalizimit të dhunës. Amber Candy, e cila e braktisi vetë formatin duke deklaruar se nuk mund të qëndronte më në atë mjedis “degjenerues”, tani rikthehet sikur asgjë të mos ketë ndodhur, duke na treguar se sa të gjallë janë këto konflikte, që çdo herë rikthen në pah tema të dhunshme.

Historia e “Top Channel” në tolerimin dhe promovimin e dhunës është e gjatë dhe e turpshme. Motrat Berisha, pas sulmit brutal ndaj Klea Prengës, u shndërruan në yje mediash, me Antonela Berishën që u prit me duartrokitje në “Goca dhe Gra”. A nuk është kjo një tërheqje e qartë e vëmendjes dhe një shkelje e rregullave të etikës mediatike?

Egla Ceno, pas sulmit me alkool ndaj Meritonit, jo vetëm u lejua të rikthehej, por u kurorëzua fituese – një mesazh katastrofik që sugjeron se dhuna shpërblehet. Kjo është një rrezik për të rinjtë dhe influencën që kanë mbi ta emisionet televizive, që si pasojë mund të nxisin gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës në shoqërinë. Vrasja e pazbardhur e rojes 60-vjeçar Pal Kola, ku një nga pistat hetimore lidhej drejtpërdrejt me produksionin e Big Brother, u fshi shpejt nga memoria institucionale e televisionit, sikur jeta e një njeriu të ishte thjesht një detaj i parëndësishëm në makinën e tyre të fitimit.

“Top Channel” ka krijuar një precedent të rrezikshëm ku dhuna, diskriminimi dhe bullizmi shpërblehen me më shumë kohë ekrani. Ky televizion, që pretendon se është pasqyrë e shoqërisë shqiptare, po reflekton vetëm një imazh të shëmtuar të saj, duke normalizuar sjellje që në çdo kontekst tjetër do të ishin të dënueshme. Një ripërgënim i tillë i realitetit duhet të reflektojë dhe të trajtohet nga institucionet e mediave dhe shoqërisë që është e angazhuar për të promovuar një kulturë non-violent.

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) duhet të ndërhyjë menjëherë me masa ndëshkuese. “Top Channel-it” duhet t’i hiqet patenta ndërkombëtare e formatit – ky televizion ka provuar vazhdimisht se nuk di të bëjë show brenda rregullave, duke e kthyer çdo situatë në një degjenerim të plotë. Ndonëse mund të duket se ky media po kalon një rritje të shikueshmërisë, duhet kuptuar se kjo nuk është e mjaftueshme për të justifikuar të ardhurat që vijnë nga të tilla skena të turpshme.

Top Channel nuk është më thjesht një medium argëtimi – është kthyer në një inkubator të sjelljes së dhunshme, ku çdo veprim anti-social jo vetëm tolerohet, por shpërblehet me më shumë famë dhe ekspozim mediatik. Është koha që publiku shqiptar të ngrejë zërin dhe të kërkojë ndërprerjen e menjëhershme të kësaj farse të rrezikshme që po helmon shoqërinë tonë!

PROMO

Nga Rubrika