Aksesorët e disenjatores kosovare në botimin për Serbi të “Harper’s Bazaar”

Aksesorët e disenjatores kosovare në botimin për Serbi të “Harper’s Bazaar”
Karolina Geits në revistën e njohur “Harper’s Bazaar”, botimi në Serbi, me unazën nga koleksioni i Sara Shalës

“Arti ka fuqinë për të thyer barriera dhe njëkohësisht është një promovues i mirë për paqe”, ka thënë disenjatorja nga Kosova, Sara Shala, e cila jeton në New York.

E shembull për këtë është fakti që unaza e saj “Links” zë vend edhe në botimin për Serbi të revistës së njohur “Harper’s Bazaar”.

Me të pozon modelja Karolina Geits

Që nga botimi i parë në vitin 1867, revista e përmuajshme amerikane “Harper’s Bazaar” në faqet e saj ka shpalosur botën e modës.

Është bërë shtëpi për talentet – disenjatorë, fotografë, ilustrues, modele, aktorë, shkrimtarë e të tjerë. Revista tani botohet në 37 vende, përfshirë edhe Serbinë.

Është pikërisht versioni i botimit serb që brenda faqeve ka shpalosur edhe punën e disenjatores nga Kosova që jeton në SHBA, Sara Shala.

Modelja e re dhe e suksesshme amerikane e cila jeton në Manhattan, Karolina Geits, ka pozuar për revistën “Harper’s Bazaar”.

Geits ka lindur në Turkmenistan, është rritur në Rusi dhe më pas është vendosur në SHBA.

Gjatë viteve të fundit ajo ka pozuar për më shumë se dhjetë revista të modës si “L’Officiel”, “BE-PUBLIC”, “Gmaro”, “Ellements”, “Elegant”.

Ka qenë pjesë e projekteve të ndryshme edhe për “Vogue”.

Rrëfimi i saj për “Harper’s Bazaar” në Serbi ka zënë edhe faqen e ballinës.

Veshjet e saj të ndryshme Geits i ka kombinuar me aksesorë që ia shtojnë elegancën.

Shihet duke pozuar edhe me unazën “Links” të disenjatores nga Prishtina.

Për këtë projekt ka punuar me një ekip të njohur të fushës së modës, mes tyre edhe kompania e themeluar në New York, “Beaute Comme Toi” më brendin e këpucëve “Karibbein Ann-Marie” themeluar në vitin 2018 nga vetë Ann-Marie, fotografin Evgeny Milkovich, stilistin Mario Solares, asistenten e modës India Meza, me stilisten për flokë Sllie Jackson dhe atë për grim Kohko Takako Pantina.

Veshjet e saj të ndryshme Geits i ka kombinuar me aksesorë që ia shtojnë elegancën. Shihet duke pozuar edhe me unazën “Links” të disenjatores nga Prishtina, Sara Shala, që jeton e vepron në New York.

“Nëse do të më pyetni për pesë gjërat që e përmirësojnë kualitetin e kësaj botës së vrazhdë, do e thosha një menjëherë: Eleganca!”, ka shkruar Geits në postimin e saj në Instagram ku shihet edhe unaza e brendit, “Sara Shala Jewelry”.

Disenjatorja Sara Shala ka thënë se për të është nder që aksesorët e saj kanë gjetur vend përkrah krijimeve të kompanive të njohura në fushën e modës.

“Arti ka fuqinë për të thyer barriera dhe njëkohësisht është një promovues i mirë për paqe”, ka thënë Shala.

Ka treguar se unaza është një prej aksesorëve të preferuar të modeles shqiptare Emina Çunmulaj, si dhe këngëtares Bleona Qerreti.

Deri tani është shfaqur edhe në botimin e Brazilit të “Harpers Bazaar”, në “Cosmpolitan Magazine”, si dhe është ekspozuar edhe nga yje të njohura si nga aktorja amerikane Laverne Cox dhe reperja TK Wonder, e cila pozoi për “Vogue”.

“Një nga krijimet me të fuqishme që kam realizuar ndonjëherë, frymëzimi për ‘Links’ vjen nga simbolizmi i një bashkimi të fortë, një lidhje e përjetshme”, ka thënë Shala.

Duke pasur një pasion të natyrshëm për modën dhe duke eksperimentuar me forma të ndryshme të modës dhe dizajnit, Sara e kuptoi se pasioni i saj i vërtetë qëndron te dizajnimi i bizhuterive.

Ajo nisi kompaninë e saj “Sara Shala Jewelry” para 6 vjetëve.

Krijimet e saj janë të frymëzuara nga mënyra e jetesës dhe kulturat e shumta të New York-ut.

Të realizuara me mjeshtërinë tradicionale, por edhe të teknologjisë së lartë, bizhuteritë e Sara Shalës janë një mishërim i elegancës.

Gjersa flet për sukseset e shumta të deritanishme, Shala ka thënë se duhet besuar se gjithçka është e mundur./koha