Ambasadorët e vendeve të BE-së miratojnë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoinë e Veriut

Ambasadorët e vendeve të BE-së ranë dakord për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Ky vendim vjen pas tre ditë negociatash.

Vendimi parakrak do të diskutohet gjatë fundjavës me qeveritë përkatëse për të sheshuar të gjitha çështjet dhe më tej një vendim do të merret nga ministrat e Punëve të Jashtme dhe Europiane, gjatë takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme më 24 mars.

Burime diplomatike në Bruksel, i thanë Ora News, se vetëm Greqia e ka kushtëzuar votën pro për Shqipërinë me të drejtat e minoritetit në vend, sidomos me mbrojtjen e pronave të këtij minoriteti.

Megjithatë, diplomatët, thonë se ky është një problem për të cilin mund të gjendet një zgjidhje e shpejtë.

Ndonëse Bashkimi Europian po ndeshet me përhapjen e koronavirusit dhe Europa tani është një vatër e shpërthimit të virusit, çështja e zgjerimit ka ruajtur një pozicion të favorshëm në axhendë.

Megjithatë, është ende e paqartë nëse miratimi për fillimin e bisedimeve të pranimit do të merret gjatë takimit të krerëve të vendeve anëtare gjatë takimit të tyre më 26 dhe 27 mars.

Deri tani dihet se ky takim do të mbahet në formën e videokonferencës, për shkak të koronavirusit.

/Ora News.tv/