Arrestohet një zyrtar policor i dyshuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar sot një zyrtar policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë).

Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

I njëjti ishte suspenduar ditë më herët me rekomandim të IPK-së.

Hetimi kishte filluar nga IPK kur përmes rrugëve operative hetuesit kanë siguruar një informacion (vide-incizim) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë.

Ky është zyrtari i dytë policor i arrestuar lidhur me rastin e njëjtë pasi që IPK-ja kishte arrestuar edhe një zyrtar policor të dyshuar më 28.01.2021.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës./indeksonline