As SHBA-ja e as BE-ja nuk janë shprehur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një prej proceseve më jotransparente që janë zhvilluar rreth Kosovës deri më tash, duke ua tejkaluar edhe bisedimeve në Rambouillet dhe atyre për statusin që kishin nisur në Vjenë.

Për shkak të kësaj, gjatë këtij procesi janë krijuar shumë mite, shumë keqkuptime, spekulime, paqartësi dhe ambiguitet.

Shpesh ato kanë qenë të qëllimshme dhe, madje, nga ana e BE-së si lehtësuese dhe të dëshirueshme.

Sepse BE-ja kishte zgjedhur në mënyrë naive qasjen e “ambiguitetit konstruktiv” si një parim i cili do t’i mundësonte asaj sukses ndërsa “palëve”, Kosovës e Serbisë, të thonë çfarë të donë dhe të kenë të drejtë.

Kjo vazhdon edhe sot.

Çfarëdo që të thotë presidenti i Kosovës Thaçi mund të ketë të drejtë, apo të mos ketë të drejtë.

Edhe Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij mund të thonë çfarë të duan, madje edhe të kundërtën e asaj që thotë Thaçi dhe përsëri askush nga BE-ja të mos i demantojë.

Mes shumë gjërave, që dihen dhe nuk dihen, shihen dhe nuk shihen, është paraqitur edhe ideja e shkëmbimit të territoreve si një ide për marrëveshje.

Sepse është pranuar kërkesa e Serbisë se ajo “nuk mund të pranojë që njëra palë të fitojë gjithçka e tjetra asgjë” dhe se “Serbia duhet të fitojë diçka”.

Është folur se “tashmë ekziston një marrëveshje” dhe se vetëm duhet pritur që ajo të nënshkruhet.

Është demantuar se “ekziston një e tillë, së paku në formën e shkruar”.

Por, me probabilitet të madh, ndonëse jo me siguri, mund të thuhet se kjo temë është diskutuar, ekziston si ide dhe ajo ka shkaktuar ndasi të mëdha edhe në Kosovë edhe në mesin e miqve të Kosovës.

Këto do të mundohemi, në bazë të informative që mundëm t’i merrnim gjatë disa muajve, publike dhe joformale, të sqarojmë aq sa është e mundur mitet dhe “të vërtetat” rreth këtyre dilemave:

A ekziston një marrëveshje sekrete për shkëmbim territoresh?

Sipas të gjitha gjasave, JO.

Së paku jo në formën e shkruar.

Por, shumë diplomatë ndërkombëtarë, evropianë dhe amerikanë, njerëz që kanë kontakte të afërta me akterët në dialog, thonë se kjo ide ka ekzistuar dhe kishte marrë hov në vitin 2019, kur Federika Mogherinit dhe Komisionit Evropian u skadonte mandati.

Prej kur kishte dalë në shesh ideja për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, si zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi, zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një numër i madh i zyrtarëve të BE-së në Bruksel, ishin shprehur të gatshëm ta pranojnë një ide të tillë “nëse do të ishte rezultat i pajtimit të palëve”.

Madje, në BE punohej që të “izolohej Gjermania” që, krahas Britanisë së Madhe, ishte kategorikisht dhe publikisht kundër.

Diplomatët që kundërshtonin këtë ide, duke vlerësuar se do të kishin pasoja të mëdha në Kosovë e në rajon dhe shkonin ndesh me gjithë atë që bashkësia ndërkombëtare kishte bërë në 30 vjetët e fundit, përfshirë edhe kundër argumenteve juridike në të cilat u thirrën kur mbronin të drejtën e Kosovës për shpallje të pavarësisë, kishin frikë që Thaçi dhe Vuçiqi do t’i vinin para një akti të kryer dhe do të dilnin me lajmin se e kanë arritur marrëveshjen dhe tash vetëm duhet zbatuar.

A do të nënshkruhej në Shtëpinë e Bardhë në Washington apo në Pallatin e Elizeut në Paris, pak kishte rëndësi.

Fakti se një marrëveshje e tillë “sekrete” nuk ekziston në letër nuk i lehtësonte kundërshtarët e ideve për ndryshim të kufijve. Nëse do të kishte pajtim, marrëveshja në letër mund të shkruhej për pak orë.

A janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër ideve të shkëmbimit të territoreve?

JO.

Së paku nëse bazohemi në prononcimet e deritashme publike nga zyrtarët amerikanë.

Por, nuk mund të thuhet se është ide apo plan amerikan.

Më shumë besohet se është ide e Serbisë, për të cilën ka shprehur gatishmëri të diskutohet edhe presidenti i tashëm i Kosovës, ndërsa amerikanëve, por edhe evropianëve, u është shitur si një ide rreth së cilës do të mund të pajtoheshin palët.

Kjo gatishmëri që të diskutohet një ide e tillë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte një risi.

Sepse deri tash, e gjithë pjesa perëndimore e Grupit të Kontaktit insistonte se nuk mund të ketë ndryshim të kufijve dhe se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, vizatimi i hartave në territorin e ish-Jugosllavisë ka marrë fund.

Ky ndryshim në qëndrimet amerikane u pa për herë të parë në një prononcim të John Boltonit, atëherë këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump.

Ai, në verën e vitit 2018, në pyetjen se a e mbështet SHBA-ja idenë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka raportuar Radio Evropa e Lirë nga Kievi, kryeqyteti i Ukrainës, ishte përgjigjur:

“Unë mendoj se ka shenja të reja se dy qeveritë shpejt mund të jenë të vullnetshme të negociojnë për këtë.

Politika jonë, politika e SHBA-së, është se nëse dy palët mund ta kryejnë këtë mes vete dhe të arrijnë marrëveshje, ne nuk përjashtojmë rregullimet territoriale.

Vërtet nuk na takon neve të flasim”, ka thënë ai, për të vazhduar:

“Ne nuk do t’u vëmë pengesa në rrugë dhe nuk mendoj se kushdo në Evropë do t’u dalë në rrugë nëse palët në mospajtim arrijnë zgjidhje të kënaqshme.

Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe nga larg apo edhe për së afërmi.

Nuk mendoj se ne do ta zgjidhim për ta.

Ne mendojmë se ata duhet ta zgjidhin për vetvete”, pati thënë Bolton.

Prej asaj kohe, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është vazhduar me narrativin se “ne do të pranojmë marrëveshjen për të cilën do të pajtohen palët”, por asnjëherë më nuk është hedhur poshtë ideja për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh apo çfarëdo varianti tjetër që do të nënkuptonte ndryshimin e kufijve.

Edhe në prononcimin e fundit të përbashkët të ambasadorëve Grenell dhe Kosnet, të mbështetur edhe nga zyrtari i Departamentit të Shtetit, Palmer, nuk shprehet kundërshtimi për idenë e shkëmbimit të territoreve.

Thuhet se “nuk ekziston plan sekret”, se Grenelli “nuk e ka parë apo diskutuar një të tillë”, por nuk thuhet se SHBA-ja nuk do të pranonte një ide të tillë.

Le të supozohet se ekziston një “plan sekret”.

A do të thoshin ambasadorët e SHBA-së se “po, mund ta konfirmojmë, kemi dijeni për një plan sekret!”.

Diplomacia nuk vepron ashtu.

A është BE-ja kundër idesë së shkëmbimit të territoreve?

JO dhe PO. Bashkimi Evropian ishte në mesin e atyre që për vite pohonin se nuk mund të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan.

Edhe pse 5 vendet e BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, edhe ato ishin të pajtimit se nuk mund të ketë ndryshime të kufijve, ndonëse e kuptonin në mënyra të ndryshme këtë.

Gjatë dialogut, BE-ja gradualisht afrohej me logjikën e Beogradit.

Pranonte narracionin se “Serbia ka humbur dhe Kosova ka fituar” dhe se tash duhet siguruar “diçka më shumë për Serbinë”.

Në fund të mandatit të saj, për shkak të naivitetit në njërën anë dhe dëshirës për sukses në anën tjetër, ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, dhe disa bashkëpunëtorë të saj, kishin rënë në grackën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kishin shprehur gatishmëri të diskutojnë edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve.

Prej atëherë, në emër të BE-së, askush nuk është shprehur se kjo ide do të ishte e papranueshme.

Edhe BE-ja, së paku strukturat e saj në Bruksel, nisi të përgjigjej se “nuk na takon neve, por palëve të gjejnë zgjidhje” dhe se “secila zgjidhje për të cilën bien dakord palët është e pranueshme për ne”.

Pas presionit të madh të disa shteteve anëtare dhe të opinionit në Kosovë, Serbi, rajon dhe më gjerë, në BE nisën kësaj t’ia shtojnë se “zgjidhja duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, standardet evropiane dhe të ketë ndikim stabilizues në rajon”.

Të gjitha këto janë të hapura për interpretime se çfarë nënkupton secila marrëveshje, edhe ajo për ndryshim të kufijve, mund të vlerësohet se është në kuadër të së drejtës ndërkombëtare (sepse palët janë pajtuar me marrëveshje), se janë sipas standardeve evropiane, “nuk ekzistojnë standardet evropiane për këtë gjë, pos pranimit të marrëveshjeve me mjete paqësore) dhe se nuk ka ndikim negativ në rajon (të gjithë të kënaqur sepse është arritur me pajtim dhe i është hapur rruga evropiane rajonit).

BE-ja si organizatë nuk ka qëndrim rreth statusit të Kosovës, nuk ka qëndrim të prerë as për shkëmbime të territoreve e as kundër.

A është Gjermania kundër ndryshimit të kufijve?

PO.

Qëndrimi i Gjermanisë ka qenë i prerë, i qartë dhe publik.

Nga kancelarja Merkel, ministrat e deri te diplomatët, Gjermania është shprehur kundër ideve të tilla dhe ka tërhequr vërejtjen se ato do të kishin pasoja të mëdha në rajon dhe në tërë Evropën.

Ky qëndrim i Gjermanisë vazhdon.

Por, Gjermania ishte e shqetësuar se, në rast se të tjerët do ta mbështesnin, në rast se Thaçi do ta paraqiste si një ide për të cilën pajtohet edhe vetë Kosova, nuk do të mund ta kundërshtonte më.

Prandaj edhe zemërimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me qëndrimin gjerman ishte aq i madh saqë fajësoi Berlinin për dështim të përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes.

“Merkel është e madhe dhe unë jam i vogël”, thoshte Vuçiq me patetikën e tij.

Por, Franca kishte treguar më shumë fleksibilitet për këtë ide të shkëmbimit të territoreve.

Sidomos pasi presidentit të Francës, Emanuel Macron, në një moment i ishte përmendur mundësia që kjo “marrëveshje historike” të arrihej në Paris kur kremtohej 100-vjetori i fundit të Luftës së Parë Botërore.

Ndonëse në rastet e fundit ndaj Kosovës veprojnë së bashku, ende ka dallime mes Francës dhe Gjermanisë rreth asaj se çfarë mund të jetë e pranueshme e çfarë jo si zgjidhje.

Franca nuk është kategorikisht, së paku jo deri më tash, kundër ideve për ndryshimin e kufijve.

Gjermania deri më tash ka arritur ta heqë përkohësisht nga tavolina këtë ide, falë edhe dëshmive se ajo nuk gëzon mbështetje të gjerë në Kosovë, por ideja si ide ende nuk është e fundosur tërësisht.

A do ta pranonte Kuvendi i Kosovës apo populli në referendum marrëveshjen për shkëmbim territoresh?

Më shumë PO sesa JO:

Nëse një marrëveshje e tillë do të arrihej dhe do të kishte mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, atëherë do të bëhej presion ndaj deputetëve të Kuvendit që ta pranojnë.

Dhe, sikur edhe disa marrëveshje të dialogut, sikur edhe ajo për demarkacion, do t’u shitej deputetëve si “marrëveshje me bekimin e miqve ndërkombëtarë” që do t’i hapte Kosovës “rrugë për integrime evropiane, në NATO e OKB” dhe qytetarëve “liberalizimin e vizave”, ndërsa ata që janë kundër do të akuzoheshin si “anti-amerikanë”, “anti-evropianë” dhe që “duan ta mbajnë Kosovën të izoluar”.

Në rrethana të tilla do të pranohej çfarëdo marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, nga LDK-ja e para e pastaj edhe partitë tjera e me një fushatë të madhe, edhe nga populli në referendum.

Si argument do të mund të merrej edhe ai se më mirë ndarje sesa krijim i një “Republika Srpska” në Kosovë.

Si mund të sigurohemi se nuk do të ketë shkëmbim territoresh?

Garanci të tilla nuk ka dhe në diplomaci nuk mund të ketë.

Fundi i fundit, garanci të tilla janë përfshirë në Pakon e Ahtisaarit, në Kushtetutën e Kosovës, në udhëzimet e Grupit të Kontaktit nga viti 2006, por ato nuk kanë penguar që kjo ide të diskutohet.

Por, përsëritja e parimeve se kufijtë nuk mund të ndryshohen, përsëritja e njëkohshme dhe qartë e pa ambiguitet nga presidenti Thaçi, nga BE-ja e nga SHBA-ja, do të ndihmonte që kjo temë të mos shkaktojë më ankth as në Kosovë e as në rajon.

Fshehja prapa gjuhës diplomatike se “nuk e kemi parë” apo “nuk e kemi diskutuar”, “jo shkëmbim, por demarkacion” ose “jo ndryshim të kufijve, por bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën”, apo “secila marrëveshje me pajtimin e dy palëve është e pranueshme”, vetëm sa do ta vazhdonin këtë ankth.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, po ashtu, mund të ndihmojë këtu dhe, pa marrë parasysh animozitetin e tashëm me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, të sqarojë se a është diskutuar apo jo ideja e shkëmbimit të territoreve.

Ai, edhe nga diplomatët ndërkombëtarë, edhe nga ata që nuk kanë ndonjë simpati të madhe për të, përmendet si një prej personave që e ka penguar idenë e shkëmbimit të territoreve.