Avdullah Hoti nuk shkon në Washington, thonë burime nga LDK!

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nuk do të shkojë në Washington më 27 qershor, ku pritej të takohej me delegacionin serb për rifillimin e dialogut mes dy shteteve fqinje.

Kështu kanë bërë të ditur burime brenda LDK-së për GazetaBlic.

”Isa Mustafa konsideron se nuk duhet të shkohet në Washington, dhe me gjasë Avdullah Hoti nuk do të shkoj”, tha ky burim i Gazeta Blic.

GazetaBlic ka provuar të marrë një qëndrim zyrtar nga LDK-ja, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Ndërsa, Grenell ka theksuar se ai po bën përpjekje për takim ndërmjet Vuçiqit e Hotit.

Ndërkaq, ishte vetë presidenca e cila minuta më parë konfirmoi edhe kthimin e presidentit Hashim Thaçi në Kosovë pasi ishte nisur drejt SHBA-së.

Anulimi i udhëtimit u bë për shkak të ngritjes së aktakuzës ndaj tij dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit nga Gjykata Speciale.

Sot u njoftua se, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.