Ben-Meir: Kurti ta formojë Qeverinë me komunitetet joshumicë, por jo me serbë

Alon Ben-Meir, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Qendrën për Studime Globale në Universitetin e New Yorkut, vlerësoi se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet ta formojë një qeveri që do të përfshijë 10 deputetë të cilët janë të garantuar për komunitetet pakicë.

Ben-Meir beson se duke bërë kështu, Kurti siguron të paktën 65 vota në parlament.

“Dhënia e mundësisë këtij grupi për t’u përfaqësuar në qeveri do të tregojë se qeveria është me të vërtetë e shqetësuar për mirëqenien e tyre.

Kjo nuk është vetëm një politikë e mirë, por edhe e nevojshme, sepse në përgjithësi ky grup ka nevojë jo vetëm për njohje, por edhe mbështetje sociale dhe ekonomike”, tha ai.

Sipas tij, grupi nuk ka një agjendë  të politikës së jashtme, “përfshirë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe për këtë arsye nuk do ta lidhte qeverinë me asnjë iniciativë të madhe të politikës së jashtme”.

“Sidoqoftë, nuk besoj se 10 parlamentarët e garantuar për pakicën serbe duhet të jenë pjesë e qeverisë, të paktën jo në këtë kohë, përveç nëse ka përparim të dukshëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi në lidhje me njohjen e Kosovës nga Serbia”, tha Ben-Meir. /Express/