Besnik Bislimi: Qeveria Kurti është qeveria më pro UÇK-së

Zëvendëskryeministër i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi ka deklaruar se gjatë vizitës së tij në Bruksel dhe bisedave me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak nuk është folur për asnjë temë për dialogun, por kanë qenë vetëm takim informues.

Në këtë proces, i dyti i Qeverisë Kurti tha se kanë transparencë të madhe, edhe pse u akuzua për izolim të ekzekutivit në këtë temë.

Bislimi, i cili raportoi para Komisionit për Integrime Evropiane tha se ka pasur ngecje në zbatimin e ERA 1.

Ai paraqiti argumentet edhe se kush po e pengon liberalizimin e vizave në Bashkimin Evropian.

“Brenga ka Ministria e Brendshme e Francës, të cilët së shpejti do të jenë prezentë në Prishtinë për ta parë nga afër luftimin e krimit edhe korrupsionit.

Brenga kanë edhe nga Holanda, derisa është thënë se të tilla mund të ketë edhe nga Belgjika”, tha ai.

I pyetur për ndikimin e tij, në punësimin siç u tha të nipit të tij Gëzim Tosuni në KShC, Bislimi tha se kjo është dezinformatë, pasi i njëjti nuk është nipi i tij.

Ai po ashtu theksoi se Qeveria Kurti është qeveria më pro-UÇK-së që ka pasur vendi ndonjëherë.

“Nuk do të lejojmë ta përdorin UÇK-në për politike ditore”, ka thënë Bislimi. /Telegrafi/