Bizneset shfrytëzojnë panikun për rritje çmimesh/Autoriteti i Konkurrencës mbledhje urgjente

Paniku nga virusi korona ka bërë qytetarët që të dynden rreth marketeve e fabrikave të miellit, për t’u furnizuar me rezevera, ani pse në shtetin tonë nuk është raportuar për ndonjë të infektuar.

Derisa, këtë gjendje po e shfrytëzojnë disa biznese të cilat kanë rritur çmimet e produkteve, madje jashtë normales.

Ishte vet Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ai që përmes një fotografie të publikuar në Facebook, i cili tregoi se një supë e kishte blerë me një çmim shumë më të lartë se ditëve të tjera.

“Përderisa ankesat e qytetarëve janë gjithëandej, e vërtetova edhe vetë se vetëm njëri prej produkteve ushqimore ka ngritje afërsisht 200% të çmimit”, kishte shkruar ai.

Ndërsa, në lidhje me këtë, Prestreshi ka thirrur menjëherë një mbledhje e cila ka nisur sot në orën 09:00.

“Pas shumë shqetësimeve që i kemi pranuar nga qytetarët dhe opinioni publik për rritjen e produkteve ushqimore gjatë situatës së krijuar të COVID-19, dhe pas mbledhjes urgjente të qeverisë së Kosovës që u mbajt mbrëmë në ora 20:00, zëvendëskryeministri Hoti propozoi një Komision Ekzekutiv në përbërje të Autoritetit të Konkurrencës dhe disa Ministra për ta monitoruar keqpërdorimin e çmimeve në situatën e tillë emergjente”, ka bërë të ditur Prestreshi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen urgjente të Qeverisë mbrëmë pas vendimit që të mbyllen shkollat shkaku i coronavirusit, tha se duhet formuar një komision që monitoron rritjen e çmimeve të produkteve.

Ndërsa edhe zëvendëskryeministri Haki Abazi, ka reaguar përmes një postimi të bërë në Facebook, në lidhje me ngritjen e çmimeve.

Në kuadër të masave për menaxhimin e situatës me coronavirus, nuk do të ketë asnjë kufizim në tregti.

Marketet do të jenë vazhdimisht të furnizuara.

Në gjithë botën, edhe aty ku ka epidemi, tregtia vazhdon.

Pra nuk ka nevojë të blini mallra dhe gjësende më shumë se zakonisht.

Po ashtu, i bëjmë thirrje tregtarëve të mos i shtrenjtojnë produktet pa nevojë dhe artificialisht.

Ky shtrenjtim duhet ndalur, përndryshe qeveria do të detyrohet të marrë masa”, ka shkruar Abazi.

Ai ka përsëritur gjithashtu se nuk do të ketë asnjë kufizim të tregtisë së jashtme dhe të brendshme.

Kështu ndodh dhe në të gjitha vendet e botës, kështu ndodh dhe te ne.

Marketet do të kenë vazhdimisht mallra, njësoj si më përpara./Indeksonline