Bletët që po kthehen në ‘zombi’

Ka disa vite që shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara janë munduar që të kuptojnë shkakun e uljes së popullsisë në shumë prej kolonive të bletëve dhe duket se shkakun e ka nxjerrë një grup studiuesish nga Kalifornia.

John Afernik dhe ekipi i drejtuar prej tij në këtë studim, analizuan me kujdes sjelljen e dhjetra kolonive me bletë në vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Ata vunë re se një pjesë e bletëve, silleshin çuditshëm.

Ato fluturonin jashtë hojeve në orët e natës, që është e pazakontë për të dhe prireshin t’i drejtoheshin dritave artificiale që gjenin.

Pikërisht këto ishin bletët që u studiuan më imtësisht prej shkencëtarëve dhe pas kryerjes së dhjetra analizave u arrit në përfundimin se këto bletë, nuk ishin më bletë, por “zombi”.

Këto insekte që shkëputeshin nga kolonitë rezultuan të gjitha të infektuara nga larvat e mizës fluturuese të njohur si miza gungaçe, emri shkencor i së cilës është “phoridae”.

Joh Hafernik thotë se kjo mizë ka filluar të përdorë mjaltin e bletëve për t’u shumuar dhe kjo bën që një pjesë e larvave të futen në trupin e bletëve gjatë kohës që kjo e fundit prodhon mjaltin në hua.

Me të hyrë në trupin e bletës, larva e mizës fillon të zhvillohet brenda saj dhe e konsumon bletën gradualisht, deri në momentin që ajo ngordh.

Tashmë, Hafernik dhe ekipi që ai drejton deklarojnë se janë përqendruar në gjetjen e një kure për të shmangur këtë epidemi, që ka ulur ndjeshëm numrin e bletëve në Shtetet e Bashkuara.