Bora Zemani dhe Donald Veshaj vendosin të ndahen

Vendimin për të dalë hapur ata e shoqëruan me disa foto e video të këndshme në çift, të cilat tashmë i kanë fshirë nga “Instagrami”, pasi kanë fshirë dhe njëritjetrin nga lista e miqve.

Çifti që e zyrtarizuan lidhjen e tyre pas karantinës kanë pasur disa mosmarrëveshje që i ka çuar në këtë vendim, ndërkohë që nuk dihet çdo të bëhet me formatin “Treshat”, një program që e bënin ata të dy bashkë me vëllain binjak të Donaldit, Romeo Veshajn.

Sipas miqve të tyre, vështirë të thuhet se këtë herë bëhet fjalë për një zënkë të momentit, pasi edhe kur kanë pasur situata të tilla më parë, ata nuk i kanë fshirë gjurmët e lidhjes së tyre dhe janë rikthyer te njëri-tjetri.

Por këtë herë ka ndodhur diçka ndryshe, që e bën të vështirë rregullimin e marrëdhënies, gjithsesi gjithçka pritet.

Bora Zemani dhe Donald Veshaj, pas zyrtarizimit të lidhjes në fillim të muajit korrik, postonin shpesh foto e video bashkë.

Ata u konsideruan një nga çiftet më të përfolura të momentit, për faktin se luanin me idenë që janë më shumë kolegë që shkojnë mirë në televizion, sesa të dashur.

Vetëm një muaj më parë ishte Bora, e cila theu heshtjen duke publikuar foton e parë të tyre si çift nga bregdeti i jugut, ku dhe celebruan kështu publikisht këtë histori dashurie të lindur në televizion.

Ajo pranoi në këtë mënyrë publikisht marrëdhënien e tyre të dashurisë, ndërsa zgjodhi ta mbulonte fytyrën e tij me një emoji, ndonëse dukej qartazi se ishte ai, duke shkruar:

“Me këtë çunin, identitetin e tij nuk dua ta zbuloj”.

Nuk mungoi as komenti i vëllait të tij binjak Romeos, i cili edhe këtë herë nuk hoqi dorë nga ngacmimet, por njëkohësisht foli në emër edhe të familjes se ata e mbështesin dhe e duan këtë lidhje.

“Meqenëse është çuni jot, atëherë edhe unë do e kem si vëlla”, komentoi ai, duke marrë edhe falënderimin, po ashtu me nota humori të Borës.

E pas prezantueses, ishte vetë Donaldi që postoi tri foto të tyre në jug, ku pozonin në mënyrë intime, për t’i vënë vulën historisë së tyre.

Ndërkohë ata vazhdonin e informonin ndjekësit me postimet e tyre, deri në momentin që zhdukën gjithçka.

Postimi i fundit i bëë nga Donaldi ishte një video shumë e këndshme e tyre, që tregonte shumë për marrëdhënien e bukur e sportive që kishin bashkë.

Pas vendimit të qeverisë për mbylljen e club-eve dhe moslejimin e muzikës në mbrëmje në ambiente publike, ata morën makinën dhe u arratisën në vende pa njerëz, duke ngritur muzikën në maksimum.

“Ore, mjafton të duash se e gjen zgjidhjen për party edhe në kohë korone”, shkuante Donaldi poshtë videove ku shiheshin teksa kërcenin si të çmendur.

Kanë kaluar gati dy vjet që kur moderatorja e njohur, Bora Zemani, filloi të shoqërohej me një nga vëllezërit binjakë të spektaklit të humorit “Al Pazar”, Donald Veshaj.

Vëllai misterioz dhe i diplomuar për pikturë i Romeo Veshajt nuk e fshehu lidhjen me Borën, të cilën e ka edhe kolege në projektin televiziv “Treshat”, pjesë e të cilit është edhe Romeo, i deklaruar si i dashuri i këngëtares së njohur Jonida Maliqi.

Dy çiftet shiheshin gjithmonë bashkë, ashtu si dhe gjatë pushimeve në jug këtë verë.

Bora është një mami e lumtur e djalit të saj Arbor nga martesa me DJ Vin Velin, ndërkohë që Donaldi është beqar.

Ata e shihnin njëritjetrin si familje, pasi kishin nisur bashkëjetesën në Tiranë.

Kështu, pas fotove që Bora postonte nga shtëpia e Donaldit në Vlorë, erdhën edhe fotot e pushimeve të tyre në jug, ku Bora shfaqej në fillim me gërshetat ngjyra-ngjyra.

Me shumë gjasa i bëri posaçërisht kur vendosi të deklarohej si e dashura e piktorit, Donaldit, i cili në ekran njihet si aktor humori.

Pak kohë më parë, Bora kishte bërë një foto duke pirë kafe në kuzhinën e Donaldit, të shoqëruar me diçiturën:

“Gjithçka çfarë dua është dashuri dhe një kafe”.

E disa javë më pas, në programin “E diela shqiptare” ku gatuante Donaldi, ndjekësit vunë re që kuzhina ku kishte bërë fotot Bora ishte në fakt shtëpia e Donaldit.

Gjatë këtij emisioni, ku ishte prezent edhe Ardit Gjebrea, meqë ishte puntata e fundit e programit “E diela shqiptare”, Arditi nuk la rast pa i ngacmuar Borën dhe Donaldin për marrëdhënien e tyre të dashurisë.

Në një moment, teksa zbritën shkallët e restorantit, Donaldi i veshi sandalen Borës dhe i pyetur nga Gjebrea, e cilësoi atë si Hirushe.

“Dhe kur e pyes unë je ti Hirushja, ajo thotë ‘po’. Pyes Donaldin: Je ti princi? Ai thotë ‘po’”.

Shpesh, paparazzi i “Panorama Plus” i ka fotografuar të veshur në stilin sportiv në shoqërinë e njëri-tjetrit, fakt që tregon se ata ishin 24 orë në 24 bashkë, për shkak edhe të projektit të përbashkët që bëjnë në televizion.

Prezantuesja, e cila i dha fund lidhjes disavjeçare me Dj. Vin Velin, vendosi ta konfirmonte deri-diku historinë e re të dashurisë në emision.

Prej muajsh përflitej se ajo dhe aktori ishin në një lidhje, por në fillim u komentua si një thashethem i radhës.

Mirëpo, lajmi kishte një ekskluzivitet në ekranin e televizionit ku ata punojnë.

Bora, Donaldi dhe Romeo ishin të ftuar në “Tring Stars” për të folur për projektin e ri që i bëri bashkë në televizion e teksa zbuluan shumë rreth emisionit të tyre, gjatë intervistës ranë në sy ngacmimet që Donaldi i bënte Borës.

Fillimisht, Donaldi i përmendi Borës këmbët e lyera me krem shkëlqyes dhe moderatorja i bashkoi këmbët e saj me të tijat.

Ndërsa Romeo i bëri shumë komplimente ‘kunatës’, duke thënë se ajo është jo vetëm e bukur, por edhe prezanton shumë mirë dhe ka ide të mira.

Pas kësaj, Bora e falënderoi Romeon duke i dhuruar një puthje në faqe, si njeriut të familjes, ndërsa Donaldi, si për të konfirmuar që ata nuk janë thjesht kolegë, tha me shaka:

“E kemi mikeshë familjare”.

Po tani, ç’do të ndodhë me “Treshat”?

Presim të nisë sezoni i ri televiziv për përgjigjen./PanoramaPlus/