Çështja e Asociacionit u diskutua në takimin në Bruksel, Bislimi tregon si iu përgjigj palës serbe

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka treguar se çfarë është diskutuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe në takimin që trepalësh që u mbajt javën e kaluar në Bruksel.

Bislimi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se: “Në Bruksel kemi pasur fillimisht takime të ndara Kosovë-BE dhe Serbi-BE.

Takimi Kosovë-BE është mbajtur ditën e martë dhe ka zgjatur 6 orë e gjysmë, plus 1 orë e 20 minuta dy takime tet-a-tet mes meje dhe z. Lajçak.

Në këtë takim mes tjerash kemi identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saja.

Me asnjë fjali të vetme nuk është përmendur asociacioni.

E vetmja çështje ku qëndrimi ynë dhe i BE nuk ka qenë i njëjtë kishte të bënte me tabelat KS”.

Bislimi tutje ka thënë se në takimin e fundit, pala serbe ka ngritur 5 çështje, si tema për të cilat pretendon se Kosova nuk i ka përmbushur obligimet e saj.

“Takimi trepalësh Kosovë-Serbi-BE është mbajtur të mërkurën me fillim në ora 13 e 30 dhe ka zgjatur 3 orë e 20 minuta.

Pala jonë i ka shtruar sërish vërejtjet tona dhe pas nesh pala serbe ka ngritur 5 shqetësimet e saj, natyrisht me fokus kryesor tek asociacioni.

Në përgjigjen time ndaj “shqetësimeve” të ekipit serb, kam adresuar edhe asociacionin”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka thënë se te pjesa ku është diskutuar për asociacionin ka përmendur strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë./Telegrafi/