Çka pas “Rimëkëmbjes”, Shteti Shtet” dhe “Krejt drejt”?

Fitorja e “Vetëvendosjes”, më 14 shkurt, duke marrë vetë më shumë se gjithë të tjerët, është argument se qeveria “Kurti dy” më nuk mund të injorohet.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, si subjekte që kanë mbetur në këmbë, duhet të jenë konstruktive si opozitë në Kuvendin e Kosovës.

Vota për ndryshim ka krijuar mendësi dhe diskurs të ri në Republikën e Kosovës.

Fitorja e Kurtit, me dallim të lartë, është bërë me votën elektorale të LDK-së, PDK-së dhe të NISMA-s, e që, kur llogaritet në total, del se “Vetëvendosja” është rritur nga zgjedhjet e 5 tetorit 2019, nga 26.15% në rreth 48%.

Sipas përllogaritjes së thjeshtë, humbja e LDK-së prej më shumë se 11% , krahasuar me zgjedhjet e 6 tetorit 2019 dhe e PDK-së rreth 7%, si dhe e NISMA-s për 2.5%, e që në total bëjnë mbi 20%, kanë shkuar te “Vetëvendosja”.

Përqindja tjetër që e ka votuar “Vetëvendosjen”, është votimi i të papërcaktuarve, plus brezi i ri që ka votuar për herë të parë, që kapë shifrën rreth 2%.

Sidoqoftë, tashmë s’ka nevojë të pritet 6 muaj për formimin e qeverisë së re, siç ndodhi me zgjedhje e mëparshme…

Kurti dihet se do të jetë kryeministër, dihet edhe mundësia objektive për të qenë Vjosa Osmani presidente, e Glauk Konjufca të jetë kryeparlamentari i kuvendit të ri.

Andaj, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja duhet të jenë konstruktive rreth qeverisë Kurti.

Inatet duhet të lihen anash, sepse Kosovën e presin shumë sfida, ndër të cilat – dialogu me Serbinë është sfida më e rëndë dhe BE-ja po e pret rinisjen e bisedimeve.

Qeveria Kurti do ta ketë mbi krahë edhe pandeminë aktuale, ku rëndësi të veçantë kanë masat dhe vaksinimi i popullatës. Safet Krivaça /Kosovarja/