Çmimet e naftës në rënie në bursë

Shqetësimi për pasojat e epidemisë së virusit Corona po rritet gjithnjë e më shumë. Kësaj i shtohet edhe rënia e çmimit të naftës në bursë.

Bursat në mbarë botën po reagojnë me humbje.

Në Wall Street u pezullua pjesërisht tregtimi. Shitjet dramatike në bursa po vazhdojnë.

Ndër shqetësimet për pasojat ekonomike nga epidemia të virusit Corona po shtohet frika edhe nga një luf.të për çmimin e naftës.

Tregtarët në sfondin e rënieve në bursë e quajtën ditën e hënë një e “hënë e zezë” (09.03).

Ideksi gjerman i aksioneve DAX ra pjesërisht më shumë se dhjetë përqind duke e mbyllur ditën me një rënie prej rreth 8 përqind.

Kjo është rënia më e madhe në harkun kohor të 14 muajve e krahasueshme me panikun e shkaktuar në bursa pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj kullave të World Trade Center në Nju Jork.

Fluksi i lajmeve shokuese është i vështirë të përpunohet me arsye, tha menaxheri i financave Thomas Böckelmann nga kompania e administrimit të pasurive Euroswitch.

Në Wall Street indeksi Dow Jones-Index i aksioneve ra me hapjen e bursës të hënën (09.03) direkt me shtatë pikë, rënia më e fuqishme qysh prej dhjetë vjetësh.

Si pasojë e tensionit të krijuar në bursë aktiviteti u ndërpre për 15 minuta, në mënyrë që bursianët të mblidhnin veten. EuroStoxx 50, ideksi orientues në Eurozonë, ra me 5,66 përqind duke shënuar saktësisht 3049,06 pikë.

Më parë pati rënie të bursave edhe në Azi. Indeksi orientues në Japoni Nikkei humbi pesë përqind.

Edhe në tregje të tjera të financave në rajonin aziatik kurset ranë dukshëm. Kurset e aksioneve në bursën e Seulit rane me mbi katër përqind.

Në Kinë indeksi Shanghai Composite humbi 3,01 përqind duke shënuar 2943,29 pikë.

Tregtarët e bursës këto humbje gjatë ditës së hënë (09.03) i krahasojnë me krizat e bursave në vitete 1929 dhe 1987 ndaj e quajtën ditën e parë të kësaj jave si „e hëna e zezë”.

“Ndonëse në Kinë tashmë numri i të infektuarve duket se ka mbetur në vend duke mos pasur më rritje, vala e virusit Corona dështë ende e paparashikueshme, se kur ajo do të marrë fund”, shkruan analisti i Bankës Kombëtare Helaba, Ralf Umlauf.

“Pasiguria është e madhe dhe perspektivat e koniunkturës dhe të tregjeve janë të vështira të parashikohen aq më tepër tani që po bie ndjeshëm edhe çmimi i naftës.”

Luf.të çmimesh për naftën mes Rusisë dhe Arabisë Saudite

Në tregun e naftës çmimi ra me 30 përqind pas dështimit të bisedimeve për uljen sasisë së nxjerres së naftës – në përqindje kjo është rënia më e fuqishme e çmimit që nga viti i luftës së Gjirirt Persik më 1991.

Menaxheri i financave Thomas Altmann nga kompania QC e cilësoi këtë si një „masakër të mirëfilltë”. „Luf.tës kundër virusit Corona po i shtohet tani edhe lufta për naftën”, theksoi ai.

„Depozituesit i shmangen gjithçaje që mund të jetë me risk.”

Gjeopolitika shkaku kryesor për rënien e çmimit të naftës

Si shkak për rënien e çmimit të naftës janë bisedimet e dështuara të kartelit të naftës Opec me të ashtuquajturit Opec+ përmbledhtasi vendet që nxjerrin naftë si Rusia.

Të premten (06.03) partnerët e bisedimeve të Opec+ nuk arritën të bien dakord.

Madje në deklaratën përbyllëse të shteteve pjesëmarrëse mungonte edhe shtyrja e kufizimeve për nxjerrjen e naftës që janë aktualisht në fuqi.

Përveç kësaj duket se rrezikon të përshkallëzojë grindja mes Arabisë Saudite dhe Rusisë për sasitë e ardhëshme të nxjerrjes së naftës.

Agjencia e lajmeve Bloomberg duke iu referuar një pjesëmarrësi që nuk do të identifikohet me emër, ve në dukje, se Arabia Saudite në muajt e ardhshëm mund ta rrisë sasinë e nxjerrjes së naftës.

Si rrjedhojë sasi e naftës nga vendi që kryeson Opec-un mund të arrijë në një shifër të re rekord me deri në dymbëdhjetë fuçi (barrel) në ditë, bëhet e ditur.

Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) të hënën duke iu referuar një pjesëmarrësi të delegacionit rus në bisedimet e Opec+ në Vjenë, i cili nuk dëshiron të identifikohet, shkruan, se distancimi i Rusisë nga karteli i naftës mund të kuptohet edhe si një sinjal lufte në adresë të SHBA-së.

Gjatë muajve të fundit sanksionet e reja nga Uashingtoni e kane zemëruar qeverinë ruse. Ndër masat ndëshkuese të vendosura në shkurt nga SHBA bën pjesë edhe ndalimi i një filiali të Rosnftit rus.

Rënia e çmimit të naftës e nxitur prej vendimit të Moskës mund të ketë pasoja edhe për nxjerrjen e naftës nga SHBA përmes metodës fracking.

Me këtë metodë shtresat gurore çahen përmes presionit të fortë nga një përzierje e ujit, rërës dhe kimikateve, për të përftuar naftën.

Kjo metodë është e kushtueshme dhe a vlen të përdoret vetëm nëse çmimi i naftës është i laartë.

Një barrel (159 litra) e naftës së llojit Brent nga Deti i Veriut kushtonte së fundi 32,83 dollarë.

Kësisoj çmimi të hënën ishte 12,44 dollarë më i ulët se të premten.

Çmimi për naftën amerikane të llojit WTI ra me rreth 12,44 dollarë në 28,84 dollarë./DW