Daçiq në Rusi: Po na thonë – hiqni dorë nga Kosova

Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Serbia është konstruktive në dialogun me Kosovën me ndërmjetësimin e BE-së dhe dëshiron një kompromis që do të sjellë paqe dhe stabilitet në planin afatgjatë.

Këto komente kryetari i Parlamentit serb i ka bërë në Moskë, duke folur në Dumën Ruse, ndërsa ka shtuar se Serbia nuk pranon zgjidhje të imponuara dhe të njëanshme.

“Po na thonë – hiqni dorë nga Kosova dhe rruga juaj për në BE është e hapur.

Kjo nuk është ajo që partnerët i thonë njëri-tjetrit.

Ne duam të hyjmë në BE, po punojmë shumë për këtë dhe nuk po e ndryshojmë atë qëllim, por nuk pranojmë që para nesh të vendosen pengesa në atë rrugë, të cilat nuk janë vendosur kurrë për askënd, siç është njohja e shkëputjes së paligjshme dhe të pritet diçka e tillë nga ndonjë shtet sovran”, tha Daçiq, transmeton Telegrafi.

Siç raportojnë mediat serbe, kryetari i Kuvendit të Serbisë gjithashtu tha se “Rusia, sikurse dhe Serbia, është plotësisht e mendimit se Kosova është një pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, dhe kjo ka qenë një nga shtyllat tona më të rëndësishme politike në luftën për interesat tona në skenën ndërkombëtare për dekada”.

Sipas tij, mbështetja ruse është e rëndësishme sidomos në punën e Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit, pasi rezolutën 1244 të vitit 1999, “ne dhe ju e konsiderojmë një dokument themelor ndërkombëtar kur bëhet fjalë për Kosovën”, tha Daçiq. /Telegrafi/