Dalin analizat, zbulohet prej çfarë u helmuan qytetarët në Deçan

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka publikuar rezultatet e analizës së ujit në Deçan.

Sipas kësaj analize, rezulton se uji ishte i kontaminuar, shkruan Gazeta Infokus.

“Në mostrat e ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.

Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.

Pas kësaj analize, IKSHPK-ja ka kërkuar rritjen e numrit të kontrolleve nga inspeksioni sanitar, të mos përdoret uji në Deçan deri në normalizim të gjendjes, si dhe ka kërkuar të bëhet ndalimi i kyçjes së puseve në rrjetin e ujësjellësit.