Deputeti i AAK-së: Jemi marrë vesh në parim për krijimin e qeverisë me LDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë marrë vesh parimisht për krijimin e qeverisë së re, LDK-AAK-Nisma-AKR dhe komunitetet jo shumicë.

Krejt kjo nëse presidenti Hashim Thaçi, ia jep të drejtën për krijimin e qeverisë LDK-së si partia e dytë e dalë nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha e ka konfirmuar se parimisht janë marrë vesh me LDK-në për krijimin e qeverisë së re.

“Ne jemi marrë vesh në parim, nuk kemi hyrë tek ndarjet apo te kushtet, mirëpo edhe prej LDK-së por edhe të gjitha partitë që do të bëjmë këtë koalicion, jemi marrë vesh që njerëzit përfshihen në këtë qeveri mos të kenë aktakuza fillimisht, pastaj janë disa projekte tona që duam t’i përfshijmë në buxhetin kur të riorganizohet sërish.

Në këtë kohë pandemie, kjo qeveri është e nevojshme për të tejkaluar këtë situatë sepse e kemi një qeveri të shkarkuar e cila nuk ka kompetencë as t’i riorganizojë buxhetin e as ndarjen e mjeteve për COVID-19 dhe për këtë situatë që po shkon duke u renduar”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se AAK-ja nuk do të qes kushte sepse e rëndësishme është që të formohet një qeveri legjitime.

“Ne nuk do të shkojmë që të qesim kushte, jemi marrë vesh të gjithë, mirëpo e rëndësishme është që ta bëjmë një qeveri legjitime, me kalu këtë situatë me disa mjete dhe me përfundua këtë situatë”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se për shkak të pandemisë, kanë kërkuar nga Këshilli Drejtues që të japin mendimin e tyre pro apo kundër koalicionit përmes telefonit.

“Në mungesë të organizimit të ndonjë takimi të Këshillit Drejtues, ne iu kemi bërë ftesë përmes telefonit, që të na tregojnë se a janë pro apo kundër këtij koalicioni dhe më duket se shumica janë pro hyrjes në këtë koalicion sepse është gjendja e vështirë”, ka thënë Berisha për Ekonomia Online.

Berisha ka thënë se do të kërkojnë që nëse futen në koalicion të përfshihet edhe autostrada e Dukagjinit.

“Nuk jemi shkuar tek ato detaje.

Sa i përket projektit të Autostradës së Dukagjinit, ajo është kërkesë permanente e jona dhe ka qenë premtim i yni elektorat dhe besojmë se do ta përfshijmë në buxhet dhe do ta zbatojmë.

Nuk bëjmë kushte tani për kohën kur do të kryhet, e rëndësishme është që të hyjë në buxhet.

Nuk e ngarkojmë buxhetin tani për tani sepse njëherë jemi në fokus të tejkalimit të kësaj situate”, tha ai për Ekonomia Online.

Ai ka thënë se nuk do të marrin pjesë në ndonjë qeveri e cila dialogun për ndarje apo shkëmbim territoresh.

Sa i përket ndarjes së posteve ministrore, Berisha ka thënë se kjo gjë nuk është diskutuar, por që dikasteret do të ndahen në mënyrë proporcionale me numrin e deputetëve që i kanë në Kuvend.