Dështon Festivali Sunny Hill për shkak të zvarritjeve të Qeverisë

Festivali më i madh që u organizua disa herë në Kosovë, sivjet nuk do të mbahet. Organizatorët janë tërhequr.

Gazeta Express merr vesh se ky vendim erdhi si pasojë e zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për ta bërë të mundur mbajtjen e festivalit.

Komuna e Prishtinës ishte pajtuar që t’ia japë “Sunny Hill Festival” 17 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet, por procedurat më tej janë zvarritur në Ekzekutiv, gjë që ka bërë që organizatorët e kësaj ngjarjeje të tërhiqen përfundimisht.

Siç merr vesh Express, organizatorët ndjehen të dëshpëruar me vonesat e shumta të shkaktuara nga mungesa e një përgjigjeje nga Ekzekutivi.