Një ngjarja tragjike ndodhi pasditen e sotme në fshatin Sanxhak të Kurbinit, ku një vogëlush 2-vjeçar humbi jetën nga flakët që përfshinë banesën ku ai jetonte me prindërit.
2-vjeçari u gjet i pajetë në ambientet e brendshme të banesës nga forcat e policisë dhe të shërbimit zjarrfikës.
Mësohet se vogëlushi ka qenë duke u ngrohur në një sobë që ishte ndezur në një dhomë të improvizuar në kasollen e lopës.
Sipas asaj që raporton “Fax”, fëmija ishte asfiksuar nga tymi, pasi rreth sobës kishte disa mbeturina të cilat morën flakë, nga pakujdesia e prindërve të tij.
Zjarrfikësit e gjetën vogëlushin 2-vjeçar të strukur poshtë divanit.
Trupi i tij i pajetë u dërgua në morgun e spitalit, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.
Dyshohet se prindërit kanë ndezur zjarrin dhe nga pakujdesia e tyre kanë marrë flakë edhe mbeturinat, që sollën vdekjen e 2-vjeçarit.
Familjarët ndodheshin jashtë në momentin kur ra zjarri.
Ata panë tymin që po dilte nga dritarja, por e patën të pamundur për ta shpëtuar të voglin.
Njoftimi i Policisë:
Sot, rreth orës 15:00, në banesën e shtetasit H.C., banues në Sanxhak, Kurbin, ka rënë zjarr, ku pas mbërritjes së shërbimeve të Policisë dhe zjarrfikëses, në ambjentet e brendshme të banesës është konstatuar trupi i pajetë i një të mituri, 2-vjeçar.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se fëmija ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë dhe djegies.
Në vendngjarje grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.