Dhjetëra kosovarë të diasporës dyshohen se janë futur në Kosovë në mënyrë ilegale

Vendimi i autoriteteve kosovare që të ardhurit nga diaspora të futen në karantinë për 2 javë, ka bërë që disa të ardhur nga jashtë të zgjedhin rrugët ilegale për të shmangur izolimin e detyrueshëm.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se dhjetëra kosovarë kanë shfrytëzuar rrugët ilegale në Han të Elezit për tu futur në Kosovë nga Maqedonia.

Burimet e Indeksonline bëjnë të ditur se vetëm dje shtatë persona janë futur nëpërmjet rrugëve ilegale nga Maqedonia në Han të Elezit.

Sipas këtyre burimeve, të ardhurit në Kosovë janë nga diaspora e Italisë.

Të njëjtit kanë shfrytëzuar rrugët malore që të futen në Kosovë duke shmangur pikën kufitare me Maqedoninë.

Veprime të tilla padyshim që shtojnë pasigurinë në luftimin e koronavirusit në Kosovë dhe shtojnë gjasat që të rritet numri i të prekurve nga pandemia e koronavirusit.