Djaloshi i lindur pa krahë e pa gjunjë shpreson t’i bëjë hapat e parë pas operacionit

Një fëmijë i lindur pa krahë dhe pa gjunjë së shpejti mund t’i bëjë hapat e parë falë një operacioni të sofistikuar.

Nicholas Cabral nga Teksasi i Shteteve të Bashkuara pritet t’i nënshtrohet një operacioni që mund të kushtojë 60 mijë dollarë.

Prindërit e fëmijës dyvjeçar, Christina dhe Cristopher Cabral, janë mundur të kursejnë sa më shumë të holla dhe të mbledhin mjete të tjera për t’i siguruar fondet për këtë operacion, në të cilin i kanë varur shpresat.

Vogëlushi Nicholas vuan nga një çrregullim i rrallë gjenetik, që ka ndikuar që disa eshtra të mos zhvillohen si duhet apo fare gjatë shtatzënisë.

Ky çrregullim paraqitet në më pak se një në 100 mijë foshnja, shkruan “Metro UK”.

Kështu, djaloshi i vogël është lindur pa krahë dhe nuk ka nyje të gjunjëve.

Mundësia e vetme që ai të ecë është duke iu nënshtruar një operacioni të sofistikuar në Florida, të caktuar për gushtin e këtij viti.

Mjekët kanë planifikuar që atij t’i ndërtojnë nyje artificiale të gjunjëve.

“Ai është shumë më ndryshe dhe ne duam shumë që t’ia japim mundësinë për të ecur, ndonëse këtu përfshihen një operacion i madh dhe një çmim i lartë.

Do të ishte ëndërr për ne që ta shohim atë duke i bërë hapat e parë”, tha nëna e fëmijës.

Nicholas ishte lindur me prerje cezariane në tetor të vitit 2017 me çrregullimin e quajtur “Thrombocytopenia-absent radius syndrome (TAR)”, që karakterizohet me mungesë të eshtrave.