Dorëheqja e Avdullah Hotit

Kur u formua qeveria Hoti, zëvendëskryeministrja, një politikane e dobët e një partie që mezi kaloi pragun, vrapoi në Morinë, duke u kërkuar falje qytetarëve për masat kufizuese të kabinetit të mëparshëm Kurti.

Kjo ishte periudha në prag të lehtësimit të masave anti-Covid, kur personave që hynin nga jashtë u kërkohej testi ose vendoseshin në karantinë dhe kjo vlente edhe për Shqipërinë.

Me këto doza triumfalizmi e populizmi qesharak, qeveritarët e sapoardhur në pushtet pas një puçi të legalizuar nga Gjykata Kushtetuese, e morën situatën në dorë.

Në fakt, brenda pak ditësh, thuajse gjithçka do dilte nga dora.

Disa javë më pas, ekzekutivi i humbur në shpërthimin pandemik, në mesin e improvizimeve, planifikoi edhe karantinimin një javor të personave që kthehen nga Shqipëria në pikun e pushimeve verore, ku e vetmja derë që ka mbetur hapur është në bregdetin shqiptar.

Pas bllokadës totale, që u përballua relativisht me sukses, erdhi hapja krejtësisht e dështuar.

Përgjegjësia menaxhuese bie mbi qeveritë respektive.

Në qeverinë Kurti, Kosova renditej e treta për mirë në Evropë me statistikat e COVID-19, ndërsa në pak javë me qeverinë Hoti, ishim të tretët më së keqi.

Këta që erdhën përmes skenarit të Thaçit e Mustafës për ta qeverisur vendin, edhe pse humbën vjet zgjedhjet, e akuzonin qeverinë e mëparshme se po e shkelte Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut me masat kufizuese.

Sot, duke mos ditur se si të veprojnë, po i rikthejnë kufizimet, edhe më me ashpërsi.

Pasi pandemia doli jashtë kontrollit, nuk duhet të jesh ekspert shëndetësor, për ta kuptuar se izolimi e kufizimet nuk çojnë peshë, por vendimtare mbetet respektimi i masave kryesore: distanca sociale, maska e higjiena personale.

Problemin kryesor Kosova nuk e ka thjesht me pandeminë, por me qeverinë e sajuar në mesin e krizës.

Nga një personalitet i aftë në krye të betejës me koronavirusin, ramë në një batak prej ku nuk po dalim dot.

Ministër i Shëndetësisë, që do të duhej të ishte personi më i thirrur, më kompetent, është një jurist që në paraqitjet e para e ngatërronte MSH-në me Ministrinë e Drejtësisë.

Ai shkarkoi një sekretar të angazhuar, e largoi edhe një tjetër për të rehatuar një njeri të afërt me partinë e tij.

Përkushtimi i ministrit jokompetent të Shëndetësisë, është në sferën partiake dhe klienteliste, por sa i takon pandemisë, është një dështim i madh.

Hapja ishte e qartë se do sillte më tepër raste infektimesh, por me një menaxhim të mirë, nuk do bëheshim vatra ballkanike e infeksionit.

Qeveria nuk është përgjegjëse vetëm për pandeminë, por edhe për shëndetin e ekonomisë së goditur rëndë.

Në vend që të ndërhyhej me masa aty ku kishte vatra infeksioni, u ndërmorën improvizime të njëpasnjëshme, duke e bërë edhe më kaotike situatën.

Qeveria po e injoron mbi të gjitha shëndetin mendor.

Pas izolimit të gjatë, nuk mund të ndërmarrësh pambarimisht kufizime.

Duhen veprime të tjera, masa mbrojtëse dhe respektim i tyre, por jeta nuk mund të bllokohet në pafundësi.

E vërteta është se kriza politike e krijuar për t’i shërbyer një qëllimi politik për interesa personale të një lideri, i shumëfishoi pasojat e pandemisë.

Mijëra kosovarë, sot nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura e për shëndet, po merret vesh se nëse ia mësyen spitalit, të pret në rastin më fatlum ndonjë karrige në korridor.

Avdullah Hoti mund të jetë një burrë i mirë, profesor i aftë, i ndershëm e atdhetar.

Por, nuk është as përafërsisht lideri që i duhet Kosovës, sidomos në këto momente të vështira anarkie që po kalon vendi.

Më e udhës, do të ishte që vetë të japë dorëheqje.

Tani, e ka më lehtë, sepse fundja mund të justifikohet me sulmet e shpeshtuara politike që i vijnë duke filluar nga radhët e partisë së tij, pastaj nga partnerët e koalicionit e kuptohet edhe prej opozitës.

Me këtë qeveri, gjërat do të përkeqësohen në shumë drejtime dhe pasojat janë të paparashikueshme.

Një pushtet jolegjitim, nuk e udhëheq dot një popull.

Askush nuk i beson më.