Edi Rama blen avion privat për veten dhe ministrat

Qeveria shqiptare duket se ka blerë një avion privat për Ramën dhe kabinetin ministror.

Sipas denoncimit të “Nismës Thurje”, qeveria ka blerë një avion privat të përshtatur si qeveritar.

Kjo organizatë denoncon se avioni superluksoz i qeverisë tashmë është ulur në pistën e aeroportit të Rinasit.

“Të dashur bashkë-vuajtës, po ju prezantojmë me avionin personal të Qeverisë shqiptare…

E lexuat mirë! Qeveria shqiptare ka blerë një avion për veten e vet.

Është një Airbus A319, i përshtatur për avion qeveritar, me kushte ultra-luksoze që tani është i parkuar në Rinas.

Deri më sot, qeveria, për udhëtimet jashtë shtetit, përdorte avionët e linjave të zakonshme.

Por, mesa duket, Kryeministri është mërzitur duke udhëtuar në një avion me popullin, prandaj porositi këtë avion personal vetëm për veten e vet.

E pra, qeveria e vendit më të varfër në Evropë, ku njerëzit po largohen dita ditës, që ka mbi 10.000 familje pa një çati mbi kokë, që po lyp lek nëpër botë sepse ka një faturë 1 miliardë Euro dëme nga tërmeti, që ka pensionet më të ulëta në Evropë, që këtë vit as nuk i ka indeksuar pagat e mësuesve, policëve, infermierëve etj., me justifikimin që buxheti s’ka lekë, e pra kjo qeveri ka blerë një avion për qejfin e vet.. me lekët tona!

Ky është abuzim i frikshëm!

Kjo e lë në bisht dhe KÇK-në.

Kjo është KÇTDP (kap ça të dalë para).

I duhet dhënë fund!”, denoncon Nisma Thurje.