Enver Hasani: Albin Kurti mund të “jetoj fuqishëm” edhe pas shkarkimit

Kryeministri Albin Kurti mund “të vazhdojë të jetojë” në qeverisje, edhe në rast se Kuvendi voton pro mocionit të mosbesimit të iniciuar nga Lidhja Demokratike (LDK).

Kështu ka thënë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, qeverisja do t’i garantohej Kurtit së paku derisa Kosova ta kalojë betejën me virusin vrasës COVID-19.

Kjo për shkak se, pas mocionit, presidenti ka dy zgjidhje që ia ofron akti më i lartë juridik: t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, ose të kërkojë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Kurti që ta japë emrin e kandidatit për kryeministër të ri, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zgjedhjet e parakohshme në Podujevë janë anuluar shkaku i pandemisë që ka përfshirë edhe Kosovën, e pikërisht nën arsyen për ta menaxhuar sa më mirë situatën me COVID-19, presidenti ka nxjerrë dekret për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, por i cili akoma nuk ka dalë në Kuvend për votim.

Kushtetuta nuk lejon zgjedhje në gjendje të jashtëzakonshme.

Kësisoj, presidentit i mbetet vetëm opsioni për të ndërmarrë veprime në funksion të formimit të Qeverisë së re.

Kurti, në një konferencë për media të mërkurën në mbrëmje, u shpreh se ai nuk mbijeton në qeverisje por “jeton fuqishëm”.

“Unë kurrë nuk mbijetoj. Unë jetoj. Fuqishëm”, u shpreh Kurti, kur u pyet nëse ka alternativë për të mbijetuar në qeverisje, pas paralajmërimit të LDK-së për rrëzimin e qeverisë.