Falja e gjobave të pandemisë, PSD mbledh 8 mijë nënshkrime

Peticioni “Të falen gjobat e pandemisë” i iniciuar nga Partia Socialdemokrate (PSD), është duke vazhduar të nënshkruhet nga qytetarët në të gjitha komunat e Kosovës.

Deri më sot këtë peticion e kanë nënshkruar rreth 8 mijë qytetarë.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

Kuçi ka treguar se sot do të jenë në komunën e Vitisë për të vazhduar me mbledhjen e nënshkrimeve.

“Deri tani kemi mbledhur rreth 8000 nënshkrime për peticion e kemi vizituar shumicën e qyteteve të Kosovës.

Sot jemi në Viti.

Ditëve në vijim do t’i vizitojmë edhe qytetet e mbetura”, u shpreh Kuçi.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi

Pavarësisht që PSD ndodhet jashtë Kuvendit, pas mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve synojnë që ta dorëzojnë në Kuvend një projektligj për faljen e 200 mijë gjobave të qytetarëve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Peticioni nuk ka datë të caktuar se kur do të përfundojë.

Synimi është që, sipas kornizës ligjore, të arrijmë 10.000 nënshkrime në mënyrë që projektligji të shkoj në Kuvendin e Kosovës e të votohet nga deputetët.

Pasi t’i sigurojmë nënshkrimet e mjaftueshme, që në këtë rast janë 10.000 sosh, peticionit ia bashkëngjisim projektligjit e më pastaj niset në Kuvend për verifikim e më pastaj të shpaloset përpara deputetëve në Kuvend”, u shpreh Kuçi.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi më tej theksoi se gjobitja e qytetarëve në pandemi ka qenë e padrejtë.

“Me këtë projektligj po synojmë ta korrigjojmë padrejtësinë.

Prandaj, zgjidhja për deputetët është e thjeshtë, të përfaqësojnë interesat e qytetarëve duke i falur gjobat e pandemisë”, u shpreh ajo.

Policia e Kosovës po vazhdon të gjobisë qytetarët të cilët nuk po respektojnë masat anti-COVID-19, ani pse tashmë numri i gjobave ka rënë dukshëm, shkaku i lehtësimit të masave që ka bërë Qeveria e Kosovës. /Telegrafi/