Fetah Rudi: Kryeministër Kurti, jam i zhgënjyer me ju

Deputeti i LDK-së, Fetah Rudi, në fjalën e tij në seancën e mosbesimit iu drejtua kryeministrit Albin Kurti duke thënë se i kishte besuar atij dhe koalicionit VV-LDK, porse tashmë është i zhgënjyer nga shefi i ekzekutivit.

Ai tha se besimi është thyer ashtu sikurse është thyer edhe miqësia me Shtetet e Bashkuara që sipas Rudit janë në pikën më të ulët nga dhjetori i vitit 2019.

Rudi deklaroi se sot është për të ruajtur miqësinë me SHBA-në.

“I nderuari kryeministër, unë besova në ju, besova në koalicionin Vetëvendosje-LDK, përkrahës i të cilit kam qenë që nga fillimi. Por sot i nderuari kryeministër, ndihem keq dhe jam shumë i zhgënjyer me ju.

Sot, ky besim është thyer, sot kryeministër e keni tradhtuar besimin që keni marr më 6 tetor, ju dhe ne.

Besimin që do të jeni ndryshimi.

Sot kryeministër, është tradhtuar edhe miku ynë me i madh, SHBA, raportet më të cila t janë në pikën më të ultë që nga 22 dhjetori i 2019, nata kur u tentua të shfuqizohet Gjykata Speciale, gjykatë kjo që do të çoje prapa grilave ata që mi vranë shokët e mij, e mua me lanë në karrocë tash e 20 vite.

Kryeministër unë dhe LDK ishim me ju, por sot unë dhe LDK, jemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot unë jam për ruajtjen e miqësisë të cilën e krijoi presidenti Rugova, miqësi të cilën ju, por edhe shumë të tjerë mund të mos e pëlqeni.

Pavarësisht zhvillimeve të mëtejshme, unë kurrë nuk do ta tradhtoj votën e LDK-së, për të cilën kam mbetur edhe në gjendjen që jam sot.

Fjalimin tim do ta përmbylli me fjalët e presidentit Rugova, të cilat duhet t’i kujtojmë gjithmonë: Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq.

Zoti e bekoftë Kosovën, zoti e bekoftë Amerikën”, përfundoi Rudi.