Fshatrat dhe qytetet e Kosovës që flenë mbi Ar dhe Argjend

Kosova njihet për pasuritë e saj nëntokësore, e veçanërisht arin dhe argjendin.

Kjo është një nga arsyet pse Serbia bën një luftë kaq të madhe për të marrë veriun e Kosovës.

Në Strategjinë minerare të Kosovës janë paraqitur të dhëna për pasurinë nëntokësore të vendit. Ari është njëri prej mineraleve që e pasuron nëntokën e Kosovës.

Në Strategjinë minerare thuhet se ari paraqitet edhe i pastër (i vetëlindur) në depozitime aluviale të lumenjve, mirëpo deri më tani ari dhe argjendi janë nxjerrë vetëm nga xehet e plumbit dhe zinkut.

Në Strategjinë minerare të dhënat bazohen në hulumtime të pakta që janë realizuar në territorin e gjerë të Artanës, Junikut, në lumin Tërnavë, Dragash, në afërsi të Prekovcit (Kriva Reka), Gllamë dhe në lindje të Koretishit.

Miniera e Artanës (ish-Novobërda), është më e pasura sa i përket arit.

Llogaritet se në këtë minierë ka resurse të arit deri në 2 mijë e 700 kilogramë.

“Ari i cili është i lidhur me mineralizimet dhe vendburimet e plumb-zinkut, në nivelin e matshëm paraqitet në minierën e Artanës, ku përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vendburimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë.

Resurset e arit në minierën e Artanës vlerësohen të jenë 2,700 kg”, thuhet në Strategjinë minerare të Kosovës.

Tutje, në Strategji janë paraqitur të dhëna për përmbajtjen e arit në secilin ton të eksploatuar.

Shembull, në Stantërg vlerësohet se përmbajtja e arit në një ton është vetëm 0.6 gram.

Sipas vendburimeve, vlerësohen këto përmbajtje të arit:

Stantërg: 0.6 g/t,

Bellobërdë: 0.7 g/t,

Cërnac: 1.0 g/t,

Hajvali: 0.5 g/t,

Kizhnicë: 1.1 g/t,

Badovc: 0.25 g/t,

Artanë: 1.6 g/t,

Crepulë: 0.13 g/t”, thuhet tutje në Strategjinë minerare.