Gërmia sot e boshatisur, qytetarët thonë se ishte veprim i duhur

Mbrëmë është marrë vendimi që u ndalohet të gjithë qytetarëve frekuentimi i parqeve në të gjithë vendin nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 20:00, si masë parandaluese për përhapjen e virusit COVID-19.

Sot parku i “Gërmisë” ishte i zbrazët.

Policia e Kosovës që është vendosur në udhëkryqin që dërgon tek ky park nuk lejonte qytetarët që të vazhdonin tutje, lejoheshin të kalonin vetëm banorët që kanë shtëpitë e tyre në atë pjesë.

E njëjta gjendje ishte edhe në “Parkun e Qytetit”, ku nuk shiheshin njerëz. Edhe ata pak njerëz që nuk kishin dëgjuar për vendimin nuk kundërshtonin të largoheshin kur u kërkohej nga policët e Kosovës.

Këtë vendim po e quajnë të drejtë vet qytetarët, të cilët thonë se është për të mirën e tyre që të mbrohen nga ky virus.

Qytetari Maliq Demiri, thotë se është një vendim i drejtë që është ndërmarrë, pa si që përmes tij pamundësohet përhapja e koronavirusit.

Ajo është mirë se në Itali po e shihni çka po bëhet.

Edhe çdo shtet që po helmohen kaq shumë prej njëri-tjetrit…Ky vendim është i drejtë për mos me i sëmurë edhe të tjerët”, tha ai.

Të drejtë vendimin e quan edhe qytetari Sadri Gjonbalaj, e i cili thotë se një venim i tillë është dashur të merret më herët.

“Është me vend, kjo është dashtë edhe më herët me ndodh, është dashtë më herët mos me prit kur të bëhet atëherë me veprua, atëherë është vonë.

Duhet disa gjëra më herët para se me ndodh e shumta…Duhet me u ruajt, bile distanca”, tha ai.

Edhe qytetarja Aferdita Syla, deklaron se ky vendim për ndalim të frekuentimit të parqeve është në të mirë të qytetarëve.

“Është shumë mirë se kanë marrë një masë parandaluese, është mirë për fëmijë, është mirë për pleqtë për shkak të koronavirusit”, tha ajo.

Njëjtë mendon edhe qytetari Ramë Zenuni, i cili thotë se në këto momente duhet mobilizim i të gjithëve që të mposhtet ky virus.

Unë mendoj që është vendim me vend, mendoj se në këtë moment të gjithë duhet të mobilizohemi të mbyllen parqet, të mbyllen dyqanet, shkollat, në mënyrë që ta tejkalojmë këtë situatë në mënyrë sa më të mirë.

Mendoj që është shumë e mençur dhe shumë e mirë”, tha ai.

Ai u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes gjatë kësaj periudhe.

“Me thënë të vërtetën po frikësohem më tepër për këta që janë më të sëmurë e këta që janë më të lodhur, qe edhe unë jam në moshë por prapë se prapë ndjehem më mirë.

Kurse, këta që janë më të vjetër e më sëmundje të ndryshme është rrezik më i madh”, tha ai.

Grupi ndërinstitucional për menaxhimin e incidenteve ka marrë këtë vendim që të gjitha parqet nëpër të gjitha komunat e Kosovës të mbyllen nga ora 08:00 deri në orën 20:00.

Përveç këtij vendimi, ky grup ka marrë vendim për ndalimin e shitjes së pijeve të ngrohta përfshirë këtu shërbimet “take away” (për të marrë me vete), shtimin e prezencës së Policisë së Kosovës në parqet e Republikës së Kosovës dhe të bëhet shenj ëzimi i mbajtjes së distancës nëpër subjektet e ndryshme ekonomike.

Deri më tani në vendin tonë janë shënuar 24 raste me COVID-19.