Gjermania i konfirmon 36 viktima e rreth 4200 raste të reja të koronavirusit për 24 orë

Instituti “Robert Koch”, i cili është përgjegjës për vëzhgimin e sëmundjeve ngjitëse, raportoi të mërkurën se në Gjermani janë konfirmuar 36 persona të vdekur dhe 4191 të infektuar gjatë 24 orëve të fundit.

Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 149, ndërsa shifra e personave të infektuar arriti në 31 mijë e 554 njerëz, shkruan “Reuters”.

Gjermania është një prej vendeve më të prekura nga koronavirusi në Evropë, por dallohet me shkallën më të ulët të vdekshmërisë në raport me numrin e personave të infektuar.

Ministri gjerman i financave ka paralajmëruar pako të madhe ndihmëse prej 750 miliardë eurove për bizneset, duke shtuar se ky mund të jetë vetëm hapi i parë i veprimeve mbrojtëse të shtetit kundër pandemisë.

Më herët, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dyshohej se është infektuar me koronavirus, por rezultati i testit doli negativ.

Ekonomia më e fuqishme e Evropës ka marrë masa të gjera kundër përhapjes së virusit të ri, përfshirë ndërprerjen e fluturimeve, mbylljen e kufijve dhe ndalimin e tubimeve me më shumë se dy persona.