Gjykata Kushtetuese shpall të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Në arsyetim thuhet se ky ligj nuk është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës.

“Konkluzionet kyçe që Gjykata nxori dhe aplikoi pas analizimit të përgjigjeve të Forumit të Komisionit të Venecias, si dhe Opinioneve të Komisionit të Venecias dhe praktikës gjyqësore të gjykatave të ndryshme kushtetuese dhe supreme, ishin me sa vijon: (i) nuk ekziston një sistem i vetëm i mundshëm i rregullimit të pagave në sektorin publik dhe se nuk ekziston një parim i njohur ndërkombëtar që përcakton rregullimin “pagë e njëjtë për punë të njëjtë”; (ii) shumica e vendeve i rregullojnë pagat përmes ligjeve të ndryshme dhe njëkohësisht aplikojnë metoda të ndryshme duke e rregulluar këtë çështje qoftë përmes ligjeve të veçanta për sektorë të veçantë ose përmes ndonjë rregullimi më të koncentruar ligjor; (iii) Kuvendi, si organ ligjvënës, ka kompetencë dhe të drejtë organike që të nxjerrë çfarëdo lloj legjislacioni për rregullim të pagave në sektorin publik, me kushtin që i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën; (iv) parimi i ndarjes së pushtetit dhe balancës ndërmjet pushtetit Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqësor nuk nënkupton izolimin e pushteteve dhe mungesën e varësisë së ndërsjellë; mirëpo, i njëjti nënkupton evitimin e situatave sipas së cilave mund të krijohet “ndërhyrje”, “varësi” ose “vartësi” kundërkushtetuese në mes të pushteteve të pavarura; (v) pavarësia e gjyqësorit, si njëra nga degët e pushtetit, nënkupton që gjyqësori është i lirë nga presioni i jashtëm dhe nuk i nënshtrohet ndikimi nga dega ekzekutive; (vi) burimet e mjaftueshme janë esenciale për të garantuar pavarësinë gjyqësore nga institucionet e tjera shtetërore dhe nga palët private – ashtu që gjyqësori të mund të kryej detyrat e tij me integritet dhe efektivitet; (vii) zvogëlimi i buxhetit nga pushteti ekzekutiv është një shembull se si burimet e gjyqësorit mund të vihen në presion të tepruar dhe të padëshiruar; (viii) nuk ekziston një rregull që krijon garanci absolute se pagat në sektorin publik nuk mund të zvogëlohen per se – por që ulja e pagave duhet të jetë e arsyetuar dhe asnjëherë arbitrare; (ix) ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar ekonomike dhe financiare dhe e cila për më tepër duhet të jetë e njohur zyrtarisht si të tillë; (x) sakrificat në kohë krize [meqë theksi tek ulja është gjithmonë kur ka kriza] që rezultojnë me ulje të pagave e të cilat nuk janë universale dhe nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë midis të gjithë qytetarëve, në proporcion me aftësinë e tyre financiare individuale – nuk konsiderohet të jenë të pajtueshme me konceptet e shpërndarjes së barrës midis përfituesve të pagave në një shtet”, thuhet në kumtesë.