Grenell: S’mund të ndihmojmë pa u hequr taksa që po e dëmton Kosovën

Një intervistë e analistit amerikan, Edward Joseph, në të cilën flitej për synimet e treshes Thaçi-Vuçiq-Grenell, për shkëmbim të territoreve dhe ndarje të Kosovës, ka nxitur reagime të shumta.

Kanë reaguar edhe vetë protagonistët e përmendur nga Joseph.

Grenell deklarimet e Joseph i ka cilësuar si lajme të rreme, ndërkohë Thaçi si plane fiktive.

Megjithatë në rrjetin social në twitter ka pasur edhe të atillë që i kanë kërkuar Grenellit sqarime rreth gjërave që po diskutohen në prapaskena në Washington dhe Bruskel, duke nxitur përsëri reagimet e emisarit të Trump.

Në një reagim të dytë, Grenell ka thënë se Washingtoni është i fokusuar vetëm në zhvillimin ekonomik, temë që sipas tij është injoruar përgjatë negociatave Kosovë-Serbi.

Tutje Përfaqësuesi Special Presidencial për dialogun ka thënë se SHBA’ja s’mund të ndihmojë derisa vetë taksa e vendosur nga qeveria e Kosovës vazhdon t’i shkaktojë dëme Kosovës.

Sipas tij tarifa duhet të hiqet fillimisht, duke shtuar se Washingtoni nuk i zgjidh çështjet politike për të cilat duhet të gjejnë rrugëdalje vetë Kosova dhe Serbia.

‘Washingtoni është i fokusuar në zhvillim ekonomik dhe punësim, ne besojmë se kjo është lënë anash në dialog.

Por ne s’mund të ndihmojë kur tarifa e qeverisë së Kosovës vazhdon t’i shkaktoj dëm Kosovës.

Ato duhet të hiqen fillimisht.

Gjithashtu, çështjet politike duhet të zgjidhen nga dy palët, jo nga Washingtoni”, ka shkruar Grenell.

Donald Trump po kërkon një marrëveshje të shpejt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vitin e kaluar kishte kërkuar që marrëveshje të ishte e pranueshme për të dy palët.

Mirëpo, bisedimet ende s’kanë rifilluar pasi Kosova ende vazhdon ta mbajë në fuqi taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Richard Grenell, i Deleguar Special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, është përfshirë në një debat me Kryeministrin Albin Kurtin për heqjen e taksës.

Grenell po kërcënon me masa ekonomike ndaj Kosovës nëse udhëheqësit kosovarë vazhdojnë të mos përfillin kërkesat amerikane.

Albin Kurti ka premtuar se nga 1 prilli do ta largojë taksën 100 për qind kurse nga 15 marsi vetëm për lëndën e parë.

Në një editorial për një gazetë gjermane, Kurti tha se çdo marrëveshje që arrihet me presion s’do të ketë ndonjë vlerë.

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një dialog të ri prej vitit 2011, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se shpallja e shtetit kosovar s’ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Janë zhvilluar disa raunde bisedimesh në Bruksel mirëpo s’ka pasur një marrëveshje finale.

Tash, edhe SHBA, por edhe BE kanë kërkuar një Marrëveshje Finale që do të normalizonte raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./GazetaExpress/