Greva e mësimdhënësve, Jasharaj paralajmëron veprime më të rënda sindikale

Mësimdhënësit në të gjithë vendin nesër do të hyjnë në grevë njëorëshe.

Nën organizimin e Sindiatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) çerdhet do të jenë në grevë nga ora 06:30-7:30, ndërsa shkollat fillore varësisht nga ndërrimet, ora e parë do të jetë grevë, kurse universitetet nga ora 10:00-11:00.

Orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen dhe nëse Qeveria e Kosovës nuk reagon atëherë nga SBASHK-u thonë se i qëndrojnë skenarit për të hyrë në grevë të përgjithshme.

Ndër kërkesa të tyre, mësimdhënësit por edhe punëtorët e sektorit publik, kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Rraham Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, ka deklaruar për KosovaPress që greva e nesërme është paralajmëruese, ndërsa ka shtuar që më 20 maj do të ketë një protestë të të gjithë punëtorëve të sektorit publik.

“Duke e parë që nuk ka pas asnjë lëvizje konkrete, asnjë takim konkret, asnjë veprim i duhur i Qeverisë, këshilli drejtues (i SBASHK-ut) aprovoi vendimin edhe një herë të Kongresit dhe vendosi që më 12 maj të jetë një grevë paralajmëruese njëorëshe në terë sistemin arsimor.

Por, në këtë grevën njëorëshe kemi informacione se do të jenë edhe sektorët e tjerë dhe sindikatat që janë pjesë e BSPK-së.

Ndërsa sa i takon sektorit të arsimit, ne e kemi bërë edhe planin, orarin.

Marrëveshjet me çerdhet.Kanë thënë që meqenëse në Prishtinë fillojnë punën në 06:30, do të jenë në grevë nga 06:30 deri në 07:30 të enjten dhe pastaj do të vazhdojnë punën në kushte normale.

Shkollat fillore dhe të mesme, varësisht a fillojnë në 07:30 apo në 08:00, dihet që ora e parë e mësimit paradite dhe pasdite do të jenë në grevë, kurse në marrëveshje me universitetet tjera të Republikës së Kosovës janë marrë vesh që greva njëorëshe të jetë të enjten nga ora 10:00 deri në 11:00, me arsyetimin se në atë kohë ka lëvizje më të mëdha sepse universitetet po duan të tregojnë, të hetohet që ka grevë”, deklaroi Jasharaj.

Jasharaj u shpreh se orët e humbura nuk do të zëvendësohen ndërsa shtoi se ky duhet të jetë një alarm fillimisht për ministren e Arsimit e pastaj për të gjithë ekzekutivin që të reagojnë dhe të parandalojnë grevat e radhës.

“Orët që humbin në grevë nuk zëvendësohen sepse po të behej kështu Qeveria do të na lente një muaj në grevë duke e ditur se ne pastaj do t’i zëvendësojmë orët dhe forca e grevës si instrument i yni do të zbehej… Ky duhet të jetë edhe një alarm shtesë për ministren Nagavci në radhë të parë si ministre e sektorit të arsimit por edhe për tërë Qeverinë Kurti, ata munden me veprime konkrete të mos na çojnë as në grevën e të enjtes e as 20 majit në protestë”, tha Jasharaj.

Jasharaj thotë se më 20 maj të gjithë të punësuarit në sektorin publik do të jenë në protestë me qëllim që Qeveria e Kosovës t’i plotësojë kërkesat e tyre e që është 100 euro shtesë çdo muaj deri në miratimin e Ligjit të pagave.

“Jam i sigurte se tërë institucionet arsimore që nga çerdhet deri në universitete do të jenë në grevën njëorëshe të enjten dhe ne bashkë me ta jemi duke u përgatitur edhe për një aktivitet edhe më të madh se greva njëorëshe.

Me vendimin e këshillit drejtues por edhe të përkrahur nga BSPK-ja me 20 maj të gjithë të punësuarit në sektorin publik, edhe punëtoret e arsimit dhe të tjerët do të jenë në protestë, e cila do të organizohet prapë në angazhim që të realizojmë kërkesat tona që Qeveria Kurti të vazhdojë ta mbështesë sektorin e arsimit dhe sektorët tjerë me 100 euro shtesë në paga, derisa nuk bëhet Ligji i pagave”, tha Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut u shpreh se nëse Qeveria e Kosovës vazhdon të mos plotësojë kërkesat e tyre edhe pas 20 majit, atëherë do të detyrohen të hyjnë në grevë në deri në realizimin e tyre.

“Po them me keqardhje se nëse Qeveria Kurti as pas protestës së 20 majit nuk merr hapa konkret që të ulet e të bisedojë me sindikatat në përpjekje korrekte për të gjetur zgjidhje për kërkesat tona dhe të kolegeve tonë në sektorët tjerë, atëherë pas 20 majit këshilli drejtues, duke analizuar situatën ndoshta do të jetë i obliguar që të sjellë një vendim edhe më të rendë, pra është fjala për grevën e përgjithshme në tërë sektorin e arsimit, që nënkupton grevë në kohë të pacaktuar, e ajo grevë pastaj do të zgjaste deri në momentin kur Qeveria Kurti do të plotësonte kërkesat tona që janë publike… Uroj që Qeveria Kurti të mos hesht pas 20 majit sepse pastaj do të jemi të shtrënguar të hyjmë në grevën e përgjithshme”, përfundoi Jasharaj.

Jasharaj ka kërkuar mirëkuptimin nga prindërit, nxënësit dhe studentët për grevën e nesërme.

Për prindërit, pati apele që të dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe dhe shkolla me një orë vonesë për hir të sigurisë së nxënësve. /Telegrafi/