Habit Albin Kurti: Takimi me Ramën, më i miri që kam pasur me të vitet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në një intervistë për Deutsche Wellen se mini-shengeni duhet të integrohet në procesin e Berlinit, të cilin e ka iniciuar kancelarja gjermane, Angela Merkel, proces ky që i njeh 6 shtete të Ballkanit Perëndimor.

Duke komentuar vizitën e tij në Tiranë dhe takimin me kryeministrin shqiptar, Kurti tha se takimi me Ramën ka qenë më i miri që ka pasur me të vitet e fundit.

“Unë besoj që sa më parë mini-shengeni duhet të integrohet në procesin e Berlinit, ai merret me Ballkanin Perëndimor 6, pra me 6 shtete dhe jo me tri e me katër.

Kur të integrohet, atëherë merret procesi i Berlinit me këtë.

Me kryeministrin shqiptar nuk kam asgjë të keqe, asgjë personale, Kosova e Shqipëria duhet të afrohen e të bashkëpunojnë me secilën fushë.

Takimi që kam pasur me zotëri Ramën ka qenë më i miri që kam pasur me të viteve të fundit”, u shpreh Kurti.

Nuk dihet nëse Kurti këtë gjë e mendon vërtet apo e tha aty sa për tu thënë, pasi të gjithë e kujtojmë tensionin dhe takimin e ‘akullt’ që ai pati me homologun e tij në Tiranë.