Haradinaj fton deputetët ta votojnë rezolutën për mbrojtjen e vlerave të luftës: S’është momenti për hedhje gurësh mbi njëri-tjetrin

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit që të votojnë për rezolutën e propozuar nga deputetja e AKR-së, Mirlinda Sopi Krasniqi, për mbrojtjen e vlerave të luftës.

Haradinaj ka thënë se tash më shumë se kurrë është e nevojshme mbrojtja e vlerave të luftës, kur ato po cenohen nga Gjykata Speciale.

Ai tha se duhet unitet dhe jo gjuajte gurësh në këtë kohë.

“Kam qenë kundër dhe jam kundër kësaj gjykate.

Sot nuk mendoj që është momenti të hedhim gurë ndaj njëri-tjetrit se kush ka faj”, tha ai.

Deputeti dhe shefi i deputetëve të AAK-së tha se Specialja po bën shumë shkelje.

“Publikimi i një letre politike nga Specialja, është shkelje e llojit të vet.

Të gjithë ata që kanë votu kundër e kanë pasur mirë, të gjithë ata që kanë votu për po e shohin që e kanë pasur gabim.

Duhet t’ju dalim zot njerëzve që kanë nevojë sot”, tha ai.

Haradinaj pati edhe një porosi për ata që sipas tij provojnë të fitojnë poena politik në këto rrethana.

“Të gjithë ata që dëshirojnë sot me fitu poena, iu them se po dëshirojnë me fitu fuqi politike në kurriz të të tjerëve.

Ta votojmë këtë rezolutë dhe të dëshmojmë që jemi kundër Serbisë sepse drejtpërdrejtë jemi kundër Serbisë”, tha ai.